2010-05-07 18:13:51

Papa Rojeve të reja Zvicerane: “Shërbimi do t’ju ndihmojë për thellimin e fesë suaj”.


(07.05.2010 RV)Sot paradite Benedikti XVI priti në Vatikan, Rojet e reja Zvicerane, që u betuan dje, të shoqëruar nga familjarët. Gjatë takimit, Papa vuri theksin mbi lidhjen e veçantë ndërmjet Rojeve e Selisë Apostolike, duke i falënderuar për shërbimin e tyre fisnik në mbrojtje të personit të tij.RealAudioMP3
Kryejeni me përgjegjësi e bujari shërbimin tuaj ndaj Papës e Selisë së Shenjtë: kjo ishte porosia, që u dha Benedikti XVI 30 Rojeve Zvicerane, të cilët i priti në Sallën Klementine, së bashku me familjarët, një ditë pasi bënë betimin. Papa u foli në të trija gjuhët e Konferderatës Helvetike: gjermanisht, italisht e frëngjisht, duke vënë theksin tek lidhja e veçantë e Rojeve Zvicerane me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Përmes shërbimit tuaj – pohoi Benedikti XVI - ju shikoni shtegtarin në kërkim të Zotit në çdo fytyrë burri a gruaje, që takoni. E nënvizoi, më pas, vlerën e madhe të shërbimit të Rojeve Zvicerane, shërbim që – u tha Benedikti XVI Rojeve të reja - do t’ju ndihmojë për thellimin e fesë suaj:
“Shërbimi juaj në ndihmë të Papës, do t’ju ndihmojë ta kuptoni më thellë fenë e krishterë, e njëkohësisht do t’ju bëjë të aftë ta perceptoni më mirë edhe dinjitein e njeriut, që kalon pranë jush e që kërkon në thellësi të shpirtit, rrugën drejt jetës së pasosur”.
I jetuar me vetëdije profesionale e me ndjesi të mbinatyrshme – tha në vijim Papa - shërbimi juaj ju përgatit edhe për detyrat e ardhshme, personale e publike, që do t’ju besohen, kur ta lini shërbimin, duke ju edukuar t’i kryeni si dishepuj të vërtetë të Zotit.
Audienca tek Papa ishte epilog i ceremonisë sugjestive të betimit të 30 alabardierëve, që u kremtua dje pasdite në Sallën e Palit VI, në praninë e presidentes së Konfederatës Helvetike, zonjës Doris Leuthard. Ceremonia përkujton flijimin e 147 Rojeve Zvicerane, që derdhën gjakun për të mbrojtur Papën Klementi VII, më 6 maj 1527, kur mbi Romën kaluan si uragan, ushtritë e lancikenekëve, fjalë që ka kuptimin ‘shërbërtor i atdheut’. Ishin merecenarët, e rekrutuar në trojet gjermane nga perandori Karli V, shumica luteranë, që e urrenin Romën e që prandaj, kudo shkelën, lanë pas vdekje e shkatërrim, duke i dhënë fund edhe epokës së ndritur të Rilindjes evropiane.

Tema e bindjes ishte në qendër të Fjalimit, që u drejtoi rekrutëve, komandanti i Rojes Zvicerane, Danil Rudolf Anrig:
Jetojmë në një çast, kur njerëzit e kanë humbur besimin në autoritetet, kur kudo sundon individalizmi e egoizmi. Ç’na dallon, ne, Rojet Zvicerane? Pikërisht betimi ynë solemn për të mbrojtur vlerat universale si bindja, besnikëria, drejtësia”.

 
Duke folur pas Komandantit, kapelani i Truprojes Papnore, imzot Alë de Ramì, theksoi:
“Nën kaskë, brenda koracës e në divizë, ju keni frymën e vetmohimit, shpirtin, që dëshiron vetëm të shërbejë. Shkëlqimi i veshjes nuk flet për ju, si individë, por vë në dukje dinjitetin e Pasardhësit të Shën Pjetrit”.

 
Pas Himneve kombëtare, të Vatikanit e të Zvicrës, arriti çasti më prekës, ai i betimit të rekrutëve të rinj:
“Ich / Hellebardier ... / schwöre / alles das...”
Secili nga alabardierët u betua në gjuhën amtare se do t’i shërbejë besnikërisht, sinqerisht e ndershmërisht Atit të Shenjtë, duke e mbrojtur, po të jetë nevoja, deri në pikën e fundit të gjakut. Pësëritën, kështu, moton e Rojes Zvicerane “Acriter et Fideliter”, “Nder e Besnikëri”. Binom, ky, që e ka dalluar ushtrinë vogël, që kur u krijua, më 1506, me dëshirën e Papës Juli II, e deri më sot, kur di të bashkërendojë frymën e traditës, me atë të kohëve moderne, në emër të Krishtit, në shërbim të Mëkëmbësit të tij mbi tokë!

 
Pak histori:
Alabarda është armë e bardhë, e klasifikuar si lloj sëpate me një teh e një majë të mprehtë, montuar mbi një shtizë të gjatë. U përdor së pari në Kinë, që në mugëtirën e kohëve. Në Evropë hyri rreth viteve 1300, përmes gjermanëve e skandinavëve. Mund ta mbytë njeriun duke e prerë, ose duke e shporuar. Kuptohet: sot është thjeshtë simbol, ngjyrim kohor, që plotëson artistikisht veshjen, që mendohet të jetë ideuar nga Mikelanxhelo, me të cilën Rojet Zvicerane u paraqiten e u shërbejnë, gjithnjë me buzë në gaz, shtegtarëve, që prej më se pesëqind vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.