(07.05.2010 RV)Kreu i socialistëve shqiptarë, Edi Rama ndodhej sot në Bruksel
për të folur me përfaqësuesit e Komisionit Evropian mbi zhvillimet e gjendjes në Shqipëri
dhe mbi arsyet e grevës së urisë, që po vazhdon prej tetë ditësh në tendat e ngritura
në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Në datën 9 maj, pra të dielën, socialistët
do të organizojnë një manifestim tjetër kombëtar në kryeqytetin e Shqipërisë, për
të kërkuar edhe një herë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, në ditën e festës
së Evropës së bashkuar dhe të fitores mbi nazifashizmin. Ndërkaq, presidenti i
Republikës. Bamir Topi rifilloi ndërmjetësimin, duke u takuar fillimisht me zv.kryeministrin
e ministrin e jashtëm, Ilir Meta e më pas me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian e
të SHBA-ve në Tiranë. Ata theksuan se zgjidhja e vetme e krizës gjendet me dialog
politik dhe institucional.