2010-05-07 18:14:42

Mbledhje e jashtëzakonshme evropiane mbi krizën në Greqi


(07.05.2010 RV)Ministrat e Finacës së G7-ës do të mbajnë një telekonferencë mbi krizën në Greqi. Gjatë orëve të fundit, ngjarjet greke kanë ndikuar edhe në tregjet evropiane, duke bërë që euro të humbë progresivisht vlerën. Bursat vazhdojnë të jenë në vështirësi. Ndërkaq, qeveritë evropiane miratojnë njëra pas tjetrës ndihmat për Athinën, të cilat, sëbashku me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duhet ta shpëtojnë vendin nga falimentimi. Mbi gjendjen në Greqi, të dëgjojmë gazetarin grek nga Athina, Nikola Nelas:RealAudioMP3
Është e vërtetë se gjendja është shumë e rëndë, jo vetëm në nivelin ekonomik – pasi praktikisht shteti ka falimentuar – por edhe në nivelin shoqëror. Për vite me radhë populli grek ka pasur marrëdhënie shkëmbimi me politikanët, përmes rekomandimeve e miqve e, tani, as që dihet saktësisht sa janë personat që punojnë për shtetin. Gjendja e sotme i shqetëson të gjithë, pasi nuk dihet e ardhmja. Për shembull, me ligj do të pritet paga e 13-të dhe e 14-të për punonjësit shtetërorë, ndërsa pensionistëve do t’u hiqen pjesa më e madhe e ndihmave. Gjithashtu, paga minimale do të ulet në 560 euro. Mungon puna e të gjithë kanë frikë se mos e humbin. Për të kuptuar psenë e kësaj situate duhet të shihemi në pasqyrë e të themi: është faji ynë. Është e lehtë t’u hidhet faji politikanëve, por kur unë si qytetar votoj për një person, që e di se është i korruptuar, atëherë i kujt është faji?
Kriza shpërtheu tani, por i ka rrënjët larg…
Që prej pesë-gjashtë vjetësh përjetojmë një krizë të vogël. Që kur përdorim euron, interesi për kreditë është ulur. Njerëzit blenë shtëpi, makina, çdo lloj gjëje që nuk mund t’i paguanin thjesht me paratë e pagës. E tani, kjo përbën problem.
Sa ndikon kjo situatë në të ardhmen e rinisë?
Ndikon rëndshëm. Po jetojmë të njëjtën gjendje si në vitet ’50 e ’60, kur pjesa më e madhe e popullsisë emigroi në SHBA-të, në Gjermani e në Australi. Sot, problemi është edhe më i madh, pasi ikin jo vetëm të varfërit, por edhe ata që kanë studiuar e janë me universitet. Prandaj, pas 10 apo 15 vjetësh nuk do të kemi më inteligjencë për të ndërtuar e qeverisur vendin.
Sipas jush, si mund të rindërtohet e të ngrihet në këmbë vendi?
Logjika kërkon, para së gjithash, ndihmën e Bashkimit Evropian, një hap shumë i rëndësishëm, përndryshe Greqia do të deklarojë zyrtarisht falimentimin. Meqë nuk kemi më monedhë kombëtare, por euron, ta pret mendja që nuk mund të bëjmë asgjë për ta çvlerësuar. Një ide mund të jetë ulja e taksave për industrinë, që të krijohen vende të reja pune. Pastaj, gjëja më e rëndësishme është përgjegjësia jonë si qytetarë për të ndryshuar mentalitetin dhe për t’u bërë një vend serioz, siç na imponon historia jonë e lashtë. E vetmja gjë që na mbetet është shpresa në të ardhmen. E bëj be se pavarësisht nga e gjithë kjo, jam akoma krenar që jam grek e jam i sigurtë se të gjitha këto sakrifica nuk do të shkojnë kot.







All the contents on this site are copyrighted ©.