2010-05-06 14:55:43

Çelësi i fjalëve të Kishës:“flijimi” apo “sakrifica”


(06.05.2010 RV)Në të gjitha fetë, flijimi është një element themelor i kultit, megjithëse i ndryshëm për rituale të ndryshme. Viktima, që mund të jetë kafshë, ose produkte të tokës, mishëron vetë besimtarin, që i ofron vetveten hyjnisë, për t’u lidhur pazgjidhshmërisht me të. Në Besëlidhjen e Vjetër kemi një gamë shumë të gjerë flijimesh, të përshkruara imtësisht në kremtimin e tyre liturgjik. Më solemni është “holokausti”, i cili, siç sugjeron fjala me origjinë greke, presupozon djegjen e plotë të flisë, që në këtë mënyrë ngjitet në qiell, pranë Zotit, i cili, siç thotë Libri i Zanafillës, “i merr erë erës së këndshme” (Zn 8,21), pra e pranon flinë.
Një rit tjetër flijimi domethënës është ai që quhet “i bashkimit” dhe përbëhet nga një vakt ushqimi i shenjtë: pjesa më e mirë e flisë digjet dhe pjesërisht u rezervohet meshtarëve (e kështu, tërthorazi, Zotit), pjesa tjetër konsumohet nga besimtarët brenda oborrit të tempullit. Përmes kësaj feste të shenjtë, në të cilën Zoti merr pjesë idealisht, vendoset një lidhje bashkimi e intimiteti. Nuk mungojnë as flijime për të shlyer mëkatin e fajin dhe në Izrael ruhet edhe kujtimi i flijimit të djalit të parë, që përdoret në Lindjen e Afërt, por që dënohet në Bibël, e cila e zëvedëson me një rit alternativ: të kemi parasysh për shembull flijimin e Isakut (Zn 22) ose shpëtimin e të parëlindurve hebrenj (Dal 13,11-16: Lk 2,22-24).
Një kthesë e rëndësishme në interpretimin e flijimit është bërë nga profetët. Ata nuk e mohojnë kultin, por kërkojnë që flijimi të mos jetë thjesht ritual, i cili nuk ndikon në jetën e besimtarit. Thirrja e tyre është në dukje e ashpër dhe negative: “Dua dashurinë e jo flinë, njohjen e Hyjit më se holokaustet” (Oz 6,6); “po edhe në më kushtofshi fli shkrumbimi, kushtimoret tuaja s’i pranoj, as që i këqyr flitë e majme për pajtim” (Am 5,22). Me të vërtetë, për profecinë, riti dhe jeta, kulti dhe drejtësia, flijimi dhe koherenca në jetën morale duhet të ndërthuren, përndryshe liturgjia kthehet në magji, apo në alibi sakrale për të justifikuar ndërgjegjen e papastër dhe sjelljet e gabuara.
Krishti, megjithëse merr pjesë në jetën kultuale të tempullit të Sionit, ndjek të njëjtën linjë me profetët, siç dëshmon gjesti i tij i ashpër për spastrimin e tempullit nga tregtarët, apo polemika kundër respektimit thjesht të jashtëm të judaizmit të kohës së tij. Në fund të fundit, Ai do të ofrojë vetveten si fli e ky akt do të meditohet e thellohet gjerësisht në Letrën drejtuar Hebrenjve. Në vazhdën e Jezusit të sakrifikuar për shëlbimin e mëkateve të botës, do të vendoset edhe kulti i krishterë, që do të ketë si rit të vetëm “flijimi” dhe “bashkimi”, eukaristinë, e cila do të kremtohet sipas këshillës së Shën Palit: “Ta kushtoni trupin tuaj (pra jetën) fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit” (Rm 12,1). Këto janë “flitë shpirtërore që i pëlqejnë Hyjit”, siç thotë Shën Pjetri në Letrën e tij të parë (2,5).







All the contents on this site are copyrighted ©.