2010-05-05 17:10:25

Tre viktima gjatë protestave në Greqi


(05.05.2010 RV)Tre persona, dy gra dhe një burrë, gjetën vdekjen sot gjatë një sulmi me bomba Molotov kundër një banke në qendër të Athinës, kryeqytetit grek të përfshirë nga manifestimet dhe greva e përgjithshme kundër planit të masave të jashtëzakonshme, të marra nga qeveria.
Dita e sotme do të kujtohet si ajo e protestave më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Greqi, me pjesëmarrjen e dhjetra mijëra njerëzve, të cilët nuk janë dakord me planin e kryeministrit Jorgo Papandreu, vendosur pas marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shpëtuar vendin nga falimentimi. Aksidente ka pasur edhe në Selanik e në Patras.
Jehona e ndeshjeve me policinë dhe lajmi për viktimat mbërriti edhe në parlament, i cili mbajti një minut heshtje. Nesër pritet, që ai të votojë për planin e Papandreut. Pas djegieve, gazetarët pezulluan grevën e tyre. Ndërkaq, bota financiare ndërkombëtare jep alarmin. Sipas presidentit të Bundesbankës, Aksel Veber dhe drejtorit të përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk përjashtohen pasoja të rënda edhe për Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.