2010-05-05 17:09:44

Kardinali Turkson përuron nismat kulturore të jezuitëve italianë: krijohet rreziku i Rozarnove të tjera, në se nuk punohet me durim për integrimin e emigrantëve.


(05.5.201 RV)Të ndërtohen shumë ura ndërmjet shumë kulturave. Këtë bindje shprehu dje pasdite kardinali Peter Koduo Appiah Turkson në Kishën romake të Shën Injacit, duke hapur manifestimin “Jezuitët në Romë. Ndërlidhje të papritura. Udhëtim në zemër të Shoqërisë”, organizuar nga Provinca Italiane e Jezuitëve. Kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes e përqendroi fjalimin e tij mbi emigrantët dhe veprimtarinë e ndërlikuar, që kërkon integrimi i tyre.
Ç’do të bënte Mateo Riçi, po të ishte përsëri mes nesh? Pyetja, lidhur me Apostullin e njohur të Lindjes së Largët - nxitëse për kë merret me misionin e inkulturimit të Ungjillit - bëhet edhe më nxitëse, në se ata që e dëgjojnë, janë jezuitët e sotëm, sivëllezër të rregulltarit që, ndërmjet viteve 1500 e shekullit pasues, kumtoi mesazhin ungjillor ndërmjet kinezëve në mënyrë të tillë, sa të linte një trashëgimi të pamort në këtë kulturë mijëravjeçare. Sot Mateo Riçi do të përpiqej me të gjitha forcat për të krijuar një familje të vërtetë apostujsh të Krishtit, atje ku ndryshimi ndërmjet etnive bëhet motiv e nxitje për pasurimin njerëzor e shpirtëror. Me këtë pohim, kardinali Turkson i bëri jehonë një mësimi të Benediktit XVI, por duke e parë në sy edhe aktualitetin. E, si shembull të freskët të këtij aktualiteti, kujtoi ‘revoltën’ e ekstrakomunitarëve të Rozanos, në Kalabri, që flet vetë për pasojat e përjashtimit nga indi shoqëror, në vend të integrimit durimtar.Inkulturimi, vërejti kardinali Turkson, duhet të përshkojë rrugën e ngadalshme të takimit reciprok ndërmjet njerëzve e kulturave. Në krahasim me epokën e Mateo Riçit, pohoi më tej, mbeten përsëri shumë ura për t’u ndërtuar, madje ndoshta duhen ndërtuar edhe më shumë, sepse nuk ndjehet më pak nevoja për inkulturimin e Ungjillit, por sigurisht ndjehet edhe më shumë. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë – tha kardinali – duke parë atë që ndodh në qytetet tona, këtu, në Evropë, e posaçërisht, në Itali. Prandaj – përfundoi kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes - ndërsa duhet admiruar Mateo Riçi, jo vetëm për guximin e për frymën e tij krijuese, por edhe për aftësitë prej mjeshtri në të gjitha fushat e dijes, në shkencë e në kulturë, në punën apostolike bashkëkohore duhet të jemi të vetëdijshëm se sot kultura kuptohet si “fabrikë e përditshme e jetës”. E, si të krishterë, e dimë se kjo jetë e përditshme ka shumë nevojë të ungjillëzohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.