2010-05-04 18:14:18

Në Tiranë vazhdon greva e urisë e deputetëve dhe e simpatizantëve socialistë.


(04.05.2010 RV)Në Tiranë greva e urisë e njëzet e një deputetëve dhe 180 mbështetësve të tyre po hyn në ditën e pestë. Ndërkohë gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet. Sot paradite dy grevistë u çuan në spital. I pari, Romeo Sina, pati gjendje të fikti dhe shtabi i protestës vendosi dërgimin e tij në spital. Ndërsa grevisti i dytë, qytetari Ramazan Ceka, nga Elbasani u transportua me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës.
Çadrat ku janë ngujuar grevistët gjenden para godinës së kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" . Ata, në kuadër të protestës nisur më datën 30 prill, kërkojnë hapjen e kutive të votimeve të qershorit 2009. Nga ana e tij kryetari i opozitës Edvin Rama u shpreh se protestuesit nuk do të ndalen. “Greva, - tha ai ndër tjera,- nuk bëhet për pushtet, por për të garantuar transparence”. Ndërkaq zëvendëskryeministri Ilir Meta e ftoi opozitën për dialog. Kryeministri Berisha është shprehur se e respekton grevën e urisë por është kundër hapjes së kutive të votimeve.
Gjendja politike aktuale në Shqipëri rrezikon të pengojë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.