2010-05-04 16:42:48

Ngushëllimet e Papës për atentatin e së dielës në Mosul. Solidaritet për të krishterët e Irakut


(04.05.2010 RV)Edhe një herë, Benedikti XVI shprehu dhimbjen e vet për dhunën në Irak. Në një telegram, që mban firmën e sekretarit të shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone, Papa shpreh trishtimin e tij të thellë për humbjen tragjike të jetës e për të plagosurit e atentatit të së dielës së kaluar. Është fjala për shpërthimet, që përfshinë një karvan me autobuzë, që transportonte studentë të krishterë të Universitetit të Mosulit. Katër mbetën të vrarë e 171, të plagosur - një pjesë, në gjendje të rëndë.
Duke u lutur për viktimat e familjet e tyre, Benedikti XVI ripohon afërsinë e tij shpirtërore me bashkësitë e krishtera në Irak dhe përsërit thirrjen drejtuar njerëzve vullnetmirë, që të ruajnë fort rrugët e paqes e të hedhin poshtë çdo akt dhune, që nuk shkakton tjetër, veç vuajtjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.