Kodikët në Shqipëri dëshmi e rrënjëve të lashta të krishterimit ndër shqiptarë në
një ekspozitë në Tiranë
(04.5.2010 RV)Kodikët e Shqipërisë dëshmi e rrëjnve të lashta të krishterimit
ndër shqiptarë në një ekspozitë në Tiranë.Kodikët janë dorëshkrime ungjillore, që
e bëjnë të njohur një periudhë historike gati 135 vjeçare. Pra, rreth 44 Kodikë
që i përkasin periudhës historike nga shekulli VI deri në shek. XVIII, paraqitën
në ekspozitën e çelur dje pasdite në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit në Tiranë.
Në ekspozitën e hapur dje, "Dorëshkrime Bizantine dhe Pas Bizantine në Shqipëri",
organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Shqipërisë, dr. Sali Berisha,
spikasinin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus
2, pjesë e Regjistrit të Kujtesë Botërore të UNESO-s, që prej vitit 2005.
"Kodikët së bashku me dorëshkrimet e tyre depozitojnë një dëshmi shumë të vyer të
historisë së rajonit tonë për 13 shekuj me radhë, për lulëzimin e qyteteve që deri
sot kanë luajtur një rol të rëndësishëm si Berati, Durrësi ,Vlora dhe Gjirokastra".
tha kryeministri Berisha gjatë përurimit të ekspozitës. Ndërsa drejtorja
e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, e cilësoi këtë ekspozitë si një pasaportë të bukur
të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas Nikës, "në këtë ekspozitë janë rrënjët tona
dhë përmes këtyre rrënjeve ne shikojmë të ardhmen tonë." Ekspozita e "Dorëshkrimeve
Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme
e Arkivave, Fondacioni Grek i Kulturës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të
Greqisë, si dhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Një ekspozite
e kësaj natyre organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka për qëllim afrimin
e publikut tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit.Për të dhënë një pamje
më të plotë dorëshkrimeve në këtë ekspozitë u paraqitën edhe 28 panele fotografike
që jepnin një informacion më të detajuar dhe më të zgjeruar të brendësisë së Kodikëve.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në 4 qershor. Kodikët e Shqipërisë Koleksioni i kodikëve (the codex) përbën një prej
pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe
një pasuri me vlera botërore e posçërisht e rëndësishme për teologjinë biblike. Ky
koleksion, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, përbëhet nga mbi
100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilët,
të gjithë së bashku, njihen si "fondi 888". Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa
dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë kishës së shën Gjon Vladimirit (Durrës). Përveçse
në AQSH, kodikë ka pasur edhe në muzeun e artit mesjetar në Korçë.
Për
herë të parë ekzistenca e kodikëve të Shqipërisë është bërë e ditur botërisht nga
një botim në gjuhën greke i peshkopit të Beratit (Aleksudes, A. - 1868). Në vitin
1886 një studiues francez (P. Batiffol) përshkroi shkurtimisht në një katalog 16 kodikë
që iu lejuan të shihte në arkivat dhe bibliotekat e Kishës ortodokse të Beratit. Batiffol,
i cili u ankua në artikullin e tij se murgjit vendës "nuk e lejuan" të njihte shumë
dorëshkrime të tjera, pagëzoi tre prej kodikëve më të lashtë të Shqipërisë: "Codex
Purpureus Beratinus" - "Kodiku i Purpurt i Beratit" (i mbiquajtur edhe "Beratinus-1");
"Codex Aureus Anthimi" - "Kodi i Artë i Anthimit" (i mbiquajtur "Beratinus-2"); si
dhe "Kodi Liturgjik i Gjon Gojartit". Deri atëherë, në listën botërore të letërsisë
së krishterë të tipit bizantin, njiheshin jo më shumë se një dyzinë dorëshkrimesh
të tipit "kodik". Me kalimin e kohës nga kjo listë janë zhdukur emra veprash të rëndësishme
liturgjike, duke përfshirë edhe "Kodikun e Gjon Gojartit", që gjendej në Shqipëri.
Kodikët e Shqipërisë janë një fond me rëndësi botërore për historinë e zhvillimit
të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike dhe agjiografike . Këto kodikë kronologjikisht
ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shekullit të 6-të - deri në
shekullin e 18-të). I shkruar vetëm një shekull e gjysmë pas "La Vulgata-s",
përkthimi latinisht i Biblës sipas shën Jeronimit, Kodiku i Purpurt i Bertit është
një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Sipas dijetarëve
bibliologë dhe paleografë, duke iu referuar teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim
jo më i vonshëm se shekulli i 6-të pas Krishtit. Ai është një ndër katër kodikët më
të vjetër në gjithë botën. Bashkëkohës me dorëshkrime të tilla të famshme si "Petropolitaus",
"Vindeobone-usis" e "Sinopencis", "Kodiku i Purpurt i Beratit" renditet në themelet
e letërsisë kishtare të ritit lindor. "Kodiku i Purpurt i Beratit" ka
190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Mateut. Eshtë shkruar
me germa të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, "në fletë të ngjashme
me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve
petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit". Por bizantologët mendojnë
se lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur germat është
e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Ngjyra, me kalimin e shekujve,
është zbehur. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në
ar. Germat e aplikuara janë kapitale të vogla (majuscule). Kapaku i dorëshkrimit është
metalik, me zbukurime biblike, por duhet të jetë disa shekuj më i vonshëm se vetë
vepra. Teksti i "Codex Purpureus Beratinus" është shkruar në stilin
antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse
dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve. Ai është vendosur në një sfond që përmban
zemra të stilizuara. Në brendësi të zemrave që zbukurojnë fletën gjenden motive floreale
- trandafila tripetalesh (lilan). Dekoracionet gjenden në kufijtë e dy vijave paralele
vertikale, që kthehen në kënd të drejtë horizontalisht. Vija vertikale interpretohet
si tentim i hyjnores, kurse vija horizontale si shenjëzim i fatit vdekëtar-kalimtar
të njeriut. Bibliologët mendojnë se ky motiv, që rimerret edhe në dorëshkrimet e mëvonshme
biblike, liturgjike ose agjiografike (nga gr. i shenjtë) që janë ruajtur në Shqipëri,
paraqet ekuilibrin shpirtëror të individit. Për herë të parë për "Codex
Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e Kishës së Shën Gjergjit", që gjendej
në kalanë e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun
që i pati ardhur rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe rrethuan qytetin
e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur,
dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të Kishës së
shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit. Sipas këtij shënimi, me kujdesin e
një murgu, një nga parësia e Beratit, "së bashku me zonjën konteshë", besimtarë të
denjë të krishtërimit, morën përsipër të shpëtonin këtë thesar, duke i fshehur në
një kullë në kala, pavarësisht prej kërcënimeve të komandantëve të ushtrisë së huaj.
Në shkrimet e botuara për "Codex Purpureus Beratinus" i pari renditet ai
i grekut Anthim Aleksudhi, "Syntomos istorike perigraphe tesleras metropoleos Belegradon
…", 1868. Disa vite më vonë, më 1886, shkrimtari francez Pierre Batiffol, mysafir
i mitropolisë së Beratit, në artikullin "Les manuscrits grecs de Berat d'Albanie et
le Codex Purpureus" - Paris - përshkroi me të dhëna të hollësishme informuese dhe
shkencore përmbajtjen e këtij dorëshkrimi. Në fakt, Batiffol është transkriptuesi
i parë dhe madje pagëzuesi i kodikut më të hershëm të Shqipërisë. Qysh prej botimit
të katalogut të tij ai njihet me emrin "Codex Purpureus Beratinus", ose "Codex Purpureus
Beratinus ", ose shkurt "Beratinus-1". Bizantologët shqiptarë, në studime
të krahasuara, mbështetur në ligjet e ndryshimit të fonetikës historike të greqishtes
nga antikiteti në periudhën e paleokrishtërimit e më këndej, i kanë interpretuar në
një semantikë tjetër vlerat tingullore të disa prej grafemave të këtij dorëshkrimi,
për rrjedhim edhe të përmbajtjes së tij. Nga autorët vendës veçohen për studime të
posaçme për kodikët Theofan Popa, Ilo Mitkë Qafëzezi, Aleks Buda, Kosta Naço.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" dhe "Kodiku i Artë i Anthimit" ("Beratinus-2", shekulli
i 9-të pas Krishtit) ishin dy prej veprave që gjendeshin në listat e objekteve të
shpallur "në kërkim" në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kleri, këshilli kishtar
(sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi
i menjëhershëm i dy kodikëve, vendosën të bëjnë çdo sakrificë dhe të mos e tregojnë
vendndodhjen e tyre, në çfarëdo rrethane. Ato u fshehën në grykën e një pusi, në një
arkë metalike. Për një kohë, në vitet që pasuan, "Beratinus-1" dhe "Beratinus-2" konsideroheshin
të zhdukur. U rizbuluan në Kishën e kalasë së qytetit në vitin 1968, në një gjendje
tejet të dëmtuar. Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore,
"Codex Purpureus Beratinus" u dërgua për restaurim pranë Institutit Arkeologjik të
Kinës, ku u realizua një riprodhim identik, plotësisht i shfrytëzueshëm për studime.
Vetë origjinali u restaurua, duke siguruar tejkalimin e gjendjes kritike dhe duke
premtuar jetëgjatësi, përmes teknikës së mbylljes hermetike të fletëve një nga një
ndërmjet dy xhameve në boshllëk. Mbas restaurimit, "Beratinus-1" u nda në nëntë vëllime,
të cilat ruhen pranë Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Nga ekspertimi
prej specialistëve të Universitetit të Tiranës rezultoi se "Beratinus-2" ishte shkruar
në "lëndë me natyrë shtazore", albuminoide, domethënë në pergamenë; kurse "Beratinus-1"
në "lëndë celuloidike me natyrë bimore", homogjenizuar përmes ngjeshjes së fletëve
të papirusit një mbi një deri në formimin e letrës së shkrimit. Në vitin 1971,
në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, dy kodikët e Beratit u dërguan pranë
Institutit Arkeologjik të Kinës, ku u realizua restaurimi i tyre, përmes teknikës
së mbylljes hermetike të fletëve një nga një ndërmjet dy xhameve në boshllëk. Mbas
restaurimit "Beratinus-1" u nda në nëntë vëllime, kurse "Beratinus-2" në 21 vëllime.
Nga studimet e mëvonshme është konstatuar se të dy kodikët janë shkruar në pergamenë
(lëkurë keci e regjur dhe e ngjyrosur). "Codex Purpureus Beratinus" u ftua
të paraqitet jashtë vendit në ekspozitën "I Vangeli dei Popoli", organizuar nga Biblioteca
Apostolica e Vatikanit, në jubileun e madh të 2000-vjetorit të krishtërimit. Brenda
vendit është ekspozuar vetëm dy herë, me lejen e autoriteve më të larta zyrtare. "Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet ndër veprat themeltare të letërsisë ungjillore,
si dorëshkrim me rëndësi të posaçme për kulturën e krishtërimit. Ai çmohet gjithashtu
për historinë e shkrimit, për vlerat evidente kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë
së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë,
historisë së besimeve. “Kodiku i Purpurt i Beratit”, sipas Aleksudhes, duhej
të ishte shkruar “me dorën e shën Gjon Gojartit”. Mirëpo Batiffol mendon se “nuk është
tamam dora e shën Gjon Gojartit.
Kodiku i Purpurt i Beratit merr një vlerë
më të rëndësishme prej faktit se është shkruar në një periudhë kur lënda biblike ende
nuk ishte kanonizuar. Dy ungjijtë që përmban kanë shmangie prej teksteve kanonike.
Kjo është arsyeja që vetëm një herë në vit, një pjesë e tij, mund të lexohej në meshë
publike. Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptare ruhen mbi 100 dorëshkrime
të tipit "kodik", në të cilët janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta,
"Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës kishtare, mendohet
se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë
një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna
të tjera. Hapësira iliro-biblike gjendet brenda asaj që zakonisht quhet "hapësirë
biblike". Në njërin prej Letrave të Testamentit të Ri, shën Pali Apostull mes tjerash
pohon: “Kështu, që prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin
e Krishtit”. (Rm 15,19) .Shenjtëroret e para të krishtërimit në këtë hapësirë
u ngritën qysh në mesin e shekullit të parë pas Krishtit (Kisha e Linit dhe ajo e
Tushemishtit).
"Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën
e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" ("Kujtesa
e Botës") dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të Unesco-s.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" ka 190 fletë, kurse "Beratinus-2" përmban 420 fletë.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit",
po edhe "Codex Aureus Anthimi" - për shkak të germës prej ari që është përdorur, i
takon shekullit të 9-të. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe
Mateut). Ka pasur gjithashtu katër shembëllime të ungjillorëve, nga të cilat
kanë mbetur vetëm tri (e Markut, Gjonit dhe Lukës), kurse figura e Mateut është zhdukur.
Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale
dhe gjeometrike (rrathë dhe lule). Stilistikisht krahasohet me një kodik që ruhet
në Bibliotekën e Petersburgut dhe që u identifikua si dorëshkrim i shekullit të nëntë
nga studiuesi gjerman Kurt Witzman. Kodiku i Petersburgut njihet me emrin e "Kodiku
grek 53". "Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me
rëndësi edhe për historinë e teologjisë e atë biblike, të Shkrimit të Shenjtë, por
dhe të letrarësisë në përgjithësi. Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë,
përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera,
që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar ("Kodiku i Vlorës", afërsisht shekulli
i 10-të; "Kodiku i Përmetit", i shekullit të 14-të; "Kodiku i Shkodrës", i të njëjtit
shekull; "Kodiku i Gjirokastrës", i shek. të 16-të; "Kodiku i Fierit" - ose i shën
Kozmait, i fillimit të shek. të 19-të). Në kodikët që i takojnë periudhës
prej shekullit të 12-të e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit
të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet
fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.
Në dorëshkrimet e dy shekujve të fundit marrin më shumë rëndësi çështjet laike. Në
njërin prej kodikëve të vonët të Korçës (shek. i 18-të) disa prej çështjeve themelorë
që zënë vendin qendror janë: dallimi i të urtit prej të diturit; ç'mendojnë i urti
dhe i dituri për Hyjin; mendimi i të diturit për fenë, amshimin dhe lirinë; mendimi
i të diturit për njeriun e mirë dhe virtytin. Kodikët e Shqipërisë janë
përmendore të kulturës e qytetërimit të krishterë dhe mbajnë vulën e hapësirës bibliko-ekumenike
ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët e tyre. Ato janë burim krenarie për bibliologët,
për njohësit e Shkrimeve të Shenjta e për Kishën, por edhe objekt studimi për etno-historinë,
për gjuhën dhe teknikën e shkrimit, për kaligrafinë, për artet e zbatuara figurative
dhe për ikonografinë. Kodikët janë një enciklopedi e vërtetë e Shkrimit të Shenjtë
dhe mendimit të krishterë.