Me 3 maj kalendri Kishtar përkujton Shën Filipin e Jakun “e vogël”, Apostuj
(03. 05. 10 RV)Duke shfletuar kalendarin e 3 majit Kisha përkujton Shën Filipin
e Jakun “e vogël”Apostuj. Filipi apostull, nxënës i Gjon Pagëzuesit, ishte
njëri ndër nxënësit e parë që ndjekin Jezusin Zot ( Gjn 1,43). Me prejardhje nga Betsaida,
sikur edhe nxënësit tjerë që asokohe ju bashkuan Jezusit, Filipi duhet të ketë qenë
anëtar i një bashkësie helene, sikur lë të kuptoj emri i tij grek e sikur mund të
nxjerrim përfundimin nga marrëdhëniet që ai pati me paganët (Gjn 12,20-30).
Ungjilltarët Mateu, Marku e Luka kur flasin për Filipin, shënojnë emrin dhe vendlindjen:
Betsaida. Te Gjoni gjejmë më shumë të dhëna mbi personalitetin e Filipit, për të cilin
shënohet se ishte mik i Natanaelit ( Bartolomeut). Në rrëfimin e shumëzimit të
mrekullueshëm të bukëve, është pikërisht Filipi ia, të cilit Jezusi i bën pyetjen:
“Ku do të blejmë bukë, që këta njerëz të mund të hanë?” Filipi nuk e kupton domethënien
e pyetjes së Mësuesit e, pasi i hedh një sy turmës së mbledhur, përgjigjet: “Dyqind
dinarë s’mjaftojnë për t’i dhënë asnjë thërrime secilit prej tyre!”. Ngathtësia
në të menduar e Filipit bie posaçërisht në sy në njoftimin e fundit ungjillor që kemi
për të: në darkën e mbrame Jezusi u flet apostujve të vet për fshehtësinë e misterit
të Trinisë Shenjte. Filipi i varfër ia prek shkurt: “Zotëri, tregona Atin e na mjafton!”
Nuk dimë se si vijoi jeta e Filipit, ashtu siç nuk kemi asnjë të dhënë mbi vdekjen
e tij. Sipas traditës, thuhet se vdiq i kryqëzuar në Gerapoli, në kohën e perandorit
Domician, ose në kohën e Trajanit, në moshën 87 vjeç. Reliket e tij, së bashku me
ato të shën Jakut të “vogël”, u bartën në Romë e u vendosen në Kishën e Apostujve.
Ndoshta për këtë arsye Kisha i përkujton të dy apostujt në të njëjtën ditë.
Jaku,
i quajtur i ‘vogël’, është njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve, bir i Alfeut (Mt 10,3;
Mk 3,18; Lk 6,15) e nga tradita identifikohet si “vëllai i Zotërisë” Jezus ) Mk 6,3;
Mt 13,55), është autori i “Letrës së Jakut”. Dëshmitar i Krishtit të Ngjallë ( 1 Kor
15,7) Jaku pati një vend të privilegjuar në bashkësinë e krishterë të Jerusalemit:
atë e njoftoi Pjetri për lirimin e vet nga burgu që ndodhi në mënyrë të mrekullueshme
nga dora e Zotit ) Vp 12,17); me Jakun vihet në kontakt Pali i kthyer në fe në e Krishtit
(Gal 1,18); Jaku ka një rolë të rëndësishëm në Koncilin Kishtar të Jerusalemit ( Vp
15,13-29). Jaku hyn në skenën e historisë së Kishës si ipeshkëv i Jerusalemit,
pas martirizimit të Jakut të madh apostull, në vitin 42 dhe pas largimit të shën Pjetrit
apostull nga Jerusalemi. Figura e tij bëhet e njohur përmes letrës që u pati drejtuar
të gjitha bashkësive të krishtera. Në këtë letër autori paraqitet: “Jaku apo Jakobi,
shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit” (Jk1,1).Pali e konsideron një ndër shtyllat
e Kishës. Në letrën e tij, Jaku pohon se dijes së njerëzve i vihet përballë
dija hyjnore. Në letrën e tij ka qortime që tingëllojnë aktuale edhe për sot, 2000
vjet pasi u shkrua: “O ju, të pasur - shkruan Jaku apostull - qani me lot për mjerimin
që do t’ju bjerë mbi kokë...Ja, haku, të cilin ju ua keni ngrënë punëtorëve, që kanë
mbjellur arat tuaja, ngre zërin e kërkon gjyq para fronit të Hyjit...” dhe pohimi
i njohur i tij mbi fenë dhe veprat: “Ç’ dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush
thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? ....Kështu
edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete....feja pa vepra
është e pafrytshme...sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra
është e vdekur. (Jak 2,14-26). Sipas të dhënave që vijnë nga historiani hebre,
Jozef Flavio, shën Jaku vdiq martir, i mbytur me gurë ndërmjet viteve 61-62 pas Krishtit
nga kryeprifti Anani II, që përfitoi nga vdekja e prokurorit Festo, për ta zhdukur
ipeshkvin e Jerusalemit.