2010-05-03 16:25:38

Katër të vdekur e 171 të plagosur në atentatin kundër të krishterëve në Irak


(03.05.2010 RV)Katër të vdekur e 171 të plagosur është bilanci i sulmit terrorist të djeshëm kundër një karvani me autobuzë, që çonte të rinj të krishterë në fshatin e tyre pranë Mosulit, në Irak. Lajmi konfirmohet sot nga agjensia katolike Sir dhe nga kryeipeshkvi kalde i Mosulit, imzot Emil Shimon Nona.
Atentati, shpjegon ipeshkvi, u krye duke plasur një bombë e më pas një autobombë në të hyrë të qytetit. 17 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spitalin e Erbilit. Të krishterët e zonës, sipas faqes së internetit të Kishës Kalde, po shkojnë për të dhënë gjak për të plagosurit. Autobuzët e bënin atë rrugë çdo ditë, për të çuar të rinjtë studentë, nga 18 deri në 26 vjeç, në universitetin e Mosulit, prandaj ishte shumë e lehtë për atentatorët të planifikonin gjithçka.
“Jemi para një sulmi tjetër kundër të krishterëve – deklaroi prelati kalde – dhuna vazhdon pa pushim. Boshllëku i pushtetit, që është krijuar pas votimeve, mungesa e qeverisë së re, debatet e brendshme të partive nuk bëjnë tjetër, veçse krijojnë një terren të përshtatshëm për dhunën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.