2010-05-03 16:25:11

Dita XVIII Botërore e lirisë së shtypit


(03.05.2010 RV)U kremtua sot Dita XVIII Botërore e lirisë së shtypit. Këtë vit, OKB-ja ka përcaktuar si temë: “Liria e informacionit: e drejta për të ditur”. Objektivi kryesor është të kujtohen parimet themelore, nga të cilat rrjedh e drejta e informacionit, duke u bërë homazhe edhe të gjithë gazetarëve, që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Sipas të dhënave të UNESCO-s, gjatë vitit 2009 janë vrarë 77 gazetarë në botë. Në një studim të botuar nga “Freedom House”, regjistrohen përparime në Azinë jugore, por tensione në Amerikën Latine e kundërshti në Afrikën sub-sahariane. Cila është sot, gjendja e lirisë së shtypit në botë? Të dëgjojmë konstitucionalistin italian, Enxo Balboni, pedagog në Universitetin Katolik:RealAudioMP3
Liria e shtypit, ose më mirë liria e mendimit, duhet parë gjithnjë në dy aspekte: nga njëra anë, liria për të informuar – e këtu hyn liria e gazetarëve dhe e editorëve – dhe nga ana tjetër, liria për të qenë të informuar, që është e drejtë tipike e përdoruesve të informacionit dhe është themelore për demokracinë. Në këtë moment, ka shqetësime si për shëndetin ekonomik të ndërmarrjeve gazetareske – e këtyre duhet që qeveritë e parlamentet t’u japin ndonjë ndihmë a mbështetje – ashtu edhe për ngushtimin e lirisë së gazetarëve dhe të veprimtarëve të informacionit. E këtu duhet gjetur një ekuilibër ndërmjet së drejtës për të informuar dhe asaj për të mos e ekzagjeruar në disa gjëra, që shkojnë përtej lirisë së informacionit.
Në përgjithësi, mund të themi se mungesa e lirisë së shtypit ndikon mbi të gjitha liritë themelore, apo jo?
Sigurisht! Kjo është njëra nga liritë e para politike, pasi formimi i një opinioni publik të ndërgjegjshëm, pra shtylla e vetë demokracisë, mbahet vetëm nëse qarkullon informacioni. Në të gjitha regjimet që dhunojnë lirinë – totalitarë apo plebishitarë – gjëja e parë që bëhet është prerja e krahëve të lirisë së informacionit.
Shtimi dhe përhapja e mjeteve të komunikimit masiv, sipas jush, ka ndikuar pozitivisht, apo negativisht mbi këtë të drejtë?
Kam përshtypjen se ka kontribuar pozitivisht aty ku kjo ishte e vetmja mënyrë: në rastin e regjimeve totalitare e jo demokratike, nëse nuk do të ishin mjetet e reja të formimit të opinionit publik, gjithçka do të kalonte në heshtje. Tani është më e vështirë për një diktator.







All the contents on this site are copyrighted ©.