Sot më 2 maj kalendari Kishtar përkujton figurën e Shën Atanasit, ipeshkëv e doktor
i Kishës
Më 2 maj përkujtohet festa e Shën Atanasit të Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor
i Kishës. Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithme të 20 qershorit 2007, e quajti
Shën Atanasin “protagonist të vërtetë të traditës së krishterë”i cili e pagoi me persekutim
mbrojtjen e pasionuar të misterit të Mishërimit të Jezu Krishtit Zot.
Shën
Atanasi i Aleksandrisë lindi në Egjipt rreth vitit 300. Ishte ende meshtar i ri, kur
mori pjesë në Koncilin I Ekumenik, të mbledhur nga Perandori Kostandin në vitin 325,
për të siguruar unitetin e Kishës. Etërit konciliarë, në kundërshtim me pohimet e
arianëve, ripohuan me forcë se Krishti është Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë. Atanasi
u bë teolog i pasionuar i mishërimit të Logos ‘Fjalës së Hyjit’, që u bë njeri, simbol
i vështirësive që goditën Kishën e kohëve të para dhe i guximit me të cilin një numër
i madh dëshmitarësh mbrojti kauzën e Ungjillit:
"Pikërisht për këtë arsye,
Atanasi qe kundërshtari më i rëndësishëm e më i fortë i herezisë ariane, që asokohe
kërcënonte fenë në Krishtin, duke e bërë në asgjë hyjninë e tij, sipas një prirjeje,
që vijon në histori e që shfaqet, në mënyra të ndryshme, edhe në ditët tona".
Po
sa u bë ipeshkëv i Aleksandrisë, Atanasit iu kundërvu vetë Kostandini i cili, për
shkaqe politike, dëshironte ta bënte fenë e krishterë më të pranueshme për të gjithë
nënshtetasit e perandorisë: “Atanasi… refuzoi me vendosmëri çdo
kompromis përballë teorive ariane, të dënuara nga Koncili Kishtar i Nikesë. Me mospajtimin
e tij të guximshëm e nganjëherë edhe tejet të ashpër, ndonëse shumë të nevojshëm,
kundër atyre që nuk kishin dashur ta shikonin ipeshkëv, e posaçërisht atyre që i kundërviheshin
Simbolit niken, tërhoqi armiqësinë e papajtueshme të arianëve të filoarianëve".
Beteja
kundër Arios, i cili gjeti mbështetje nga rrethana jashtëkishtare, i kushtoi një internim
të gjatë Shën Atanasit, i cili në këtë periudhë u afrua me monakizmin, sidomos, me
Shën Antonin apo Shëna Ndoun Abat e oshënar. Ky aspekt i dha famë të re ipeshkvit
mërgimtar, që u bë mik i vetmitarit tjetër të madh aq, sa të shkruante biografinë
e tij, ‘best seller’ i letërsisë së lashtë kristiane’. “Jeta e Shëna Ndout”, ky është
titulli i veprës, luajti një rol të dorës së parë për përhapjen e monakizmit në Lindje
e në Perëndim. Ndonëse eremitët, siç shkroi Atanasi, jetojnë të vetmuar e dëshirojnë
të mbeten të fshehur: “Ideja kryesore e gjithë luftës teologjike
të Shën Atanasit qe se Hyji është i arritshëm. Nuk është Zot i dorës së dytë, është
Zot i vërtetë, e përmes bashkimit tonë me Krishtin, ne mund të bashkohemi realisht
me Hyjin. Ai u bë me të vërtetë ‘Hyj me ne’.