2010-05-02 10:16:12

Shenjtorët e javës sipas kalendarit Kishtar


Sot më 2 maj, Kisha katolike kremton të dielën V të kohës së Pashkëve e po këtë ditë kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Athanasin, ipeshkëv i Aleksandrisë dhe doktor i Kishës. Liturgjia e festës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës së vërtetë.
 
Nesër e hënë 3 maj, sipas kalendarit kishtar do të kremtohet festa e Shenjtorëve Filipit dhe Jakut të Vogël, Apostuj, e Aleksandrit, Evecit, e Teodulit, martirë. Shembulli i tyre na kujton se përmes Jezusit hyjmë në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt. Jezusi na prin tek Ati për të na bërë të jetojmë në Të jetën e vetë Trinisë Shenjte Hyjnore.
 
Të martën më 4 maj, përkujtohet Shën Antonina, martire dhe e Shën Floriani. Liturgjia e shenjtë i jep përgjigje pyetjes jetike që i bën vetes çdo njeri: prej nga vijmë, pse jetojmë e ku shkojmë? Kush beson në Krishtin, nuk ka frikë nga vështirësitë, e as nga vetë vdekja. Ai na përgatit një vend e na merr me vete, sepse na do. Gjithë jeta e Tij dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend edhe për ne.
 
Të mërkurën më 5 maj, kalendari Kishtar do të përkujton festën e e Shën Angjelinit dhe e të Lumit Nunci Sulpricio nga Napoli. Liturgjia e ditës na kujton s e gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja dhe ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh neve në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon tek Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt.
 
Të enjten e ardhshme më 6 maj, kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Marjanin e Jakun, martirë. Liturgjia e festës pohon se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Liturgjia na fton të bashkojmë zërin në thirrjen: “Bekoje, o Zot, veprën e duarve tua”.

Të premten që vjen më 7 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Flavia Domitilen, martire romake; Shën Flavion e Augustin dhe të Lumën Roza Venerini, virgjër e themeluese të Motrave ‘Mësuese të Përshpirtshme Venerini’. Liturgjia na nxit të meditojmë mbi jetën e njeriut, që kalon shumë çaste të gëzuara, por jo më pak edhe të trishtuara e na fton që, të sigurtë në premtimin e të Ngjallurit, t’i shikojmë vuajtjet tokësore si prelud i galdimit të ringjalljes. Jezusi i ngjallur kthehet tek Ati, pasi na ka hapur edhe ne portën për të hyrë te Hyji
 
Të shtunën e ardhshme më 8 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Viktorin, martir të Milanos, Shën Bonifacin e IV papë, Shën Benediktin e II, papë, Shën Arsenin, diakon të Romës dhe Shën Magdalenën e Kanosës. Kujtojmë se këtë të shtune në mes ditë besimtarët i drejtojnë lutjen Zojës së Bekuar Rruzare të Pompejit. Liturgjia e së enjtes na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës, e cila këtë ditë ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar
 
Të dielën më 9 maj, Kisha kremton të dielën e 6-të të Pashkëve e po këtë të diele kalendari përkujton edhe Shën Pakomin, abat dhe Shën Izainë, profet.
Liturgjia e ditës pohon se ndjekur Zotin, dishepulli i vërtetë e dëshmon Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur duke i lidhur ngushtë fjalët me vepra. Meriton kështu epitetin ‘njeri i drejtë’ dhe premtimin për të kundruar fytyrën e Zotit në amshim.







All the contents on this site are copyrighted ©.