2010-05-02 18:09:53

Papa para Pëlhurës së Shenjtë: Sindona flet me gjuhën e gjakut e gjaku është jetë!


(02.05.2010 RV)Në orën 17.30 Papa shkoi në katedrale, për të nderuar Sindonën. Duke hyrë në tempull, Benedikti XVI u ndalua për disa çaste në Kapelën e të Shenjtnueshmit Sakrament, për të adhuruar Krishtin në Eukaristi. Më pas u gjunjëzua para elterit të madh, ku është ekspozuar Sindona. Si e nderoi Pëlhurën e Shenjtë, Papa u propozoi të pranishmëve një meditim, që nisi me shpjegimin e Varrimit të Krishtit e të domethënies së kësaj Ikone të së Shtunës së Madhe:RealAudioMP3
“Në kohën tonë, sidomos pasi përshkuam shekullin e kaluar, njerëzimi është bërë posaçërisht i ndjeshëm përballë misterit të së Shtunës së Madhe. Fshehja e Zotit bën pjesë në përshpirtërinë e njeriut bashkëkohor, në mënyrën e jetesës së tij e, gati pa u kujtuar, i krijon një zbraztësi të thellë në zemër… Pas luftërave botërore, kampeve të përqëndrimit, gulagëve, Hiroshimës, Nagasakit, epoka jonë u bë gjithnjë më shumë një e Shtunë e Madhe: errësira e kësaj dite ka të bëjë me të gjithë ata, që kërkojnë kuptimin e jetës, në mënyrë të veçantë, me ne, besimtarët”.
Më pas Papa shpjegoi se Sindona e Shenjtë i ngjet një dokumenti fotografik, me pozitivin e negativin e tij. E është pikërisht kështu: misteri më i errët i fesë është njëkohësisht shenja më e ndritshme e shpresës së pakufi. E Shtuna e Madhe është ‘tokë e askujt’, ndërmjet vdekjes e ringjalljes, por në këtë ‘tokë të askujt’ hyri Një, i Vetmi, që e përshkoi me shenjat e mundimeve të tij për njeriun: “Passio Christi. Passio hominis”. E Sindona na flet pikërisht për këtë akt të pashembullt.
Sindona na flet edhe sot e kësaj dite:
“Po si flet? Flet me gjak, e gjaku është jetë! Sindona është ikonë e shkruar me gjak, me gjakun e një njeriu të rrahur në kamxhik, të kurorëzuar me gjemba e të shporuar në të djathtë të kraharorit. Prandaj vijnë ta nderojnë mijëra e mijëra njerëz, sepse në të nuk shikojnë vetëm errësirën, por edhe dritën, nuk shikojnë aq disfatën e jetës e të dashurisë, por fitoren, fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen, shohin, po, vdekjen e Jezusit, por duke parandjerë Ringjalljen e tij. Në gji të vdekjes, ndjejnë si rreh pulsi i jetës! Këtë fuqi ka Sindona”.Figura e stampuar në Sindonë, është ajo e një të vdekuri, por gjaku flet për jetën e tij. Çdo gjurmë gjaku flet për dashurinë e për jetën – theksoi Papa - e, para se të largohej nga Katedralja, përshëndeti anëtarët e Komitetit për ekspozimin e Sindonës. Në Katedrale ishin të pranishme edhe murgeshat e klauzurës të manastireve të ndryshme të dioqezës.







All the contents on this site are copyrighted ©.