2010-05-02 19:06:48

Papa në Shtëpinë e vogël të Provanisë Hyjnore-Kotolengo: “Të varfërit janë Jezusi”.


(02.04.2010 RV)Pas nderimit të Sindonës, Benedikti XVI vizitoi Shtëpinë e vogël të Provanisë Hyjnore, ku u prit nga eprorët e përgjithshëm të tri Kongregatave kotolenge: atë Aldo Saroto, vëlla Gjuzepe Menegini e Nënë Gjovana Masé. Benedikti XVI hyri menjëherë në Kishën e Institutit, ku nderoi reliket e Shën Gjuzepe Benedeto Kotolengos (1786-1842) dhe u ndalua në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament. Pasi ndoqi përshëndetjen e atë Sarotos, Ati i Shenjtë u drejtoi të pranishëmve një fjalim, në të cilin vuri në dukje posaçërisht figurën e themeluesit, Shën Gjuzepe Benedikt Kotolengos, të cilin e kujtoi edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, së bashku me Shën Leonardin Murialdo.
Ai ishte kampion i vërtetë i bamirësisë – nënvizoi Papa - që ia kushtoi gjithë veprimtarinë e vet më të varfërve, në përpjekjen për të shëruar plagën e rëndë të varfërisë, nga e cila vuante Torino e kohës. Për t’i dhënë një përgjigje konkrete kësaj situate, nisi të mikpresë njerëz, që nuk i donte askush, që shoqëria i kishte flakur pa pikë dhëmbshurie nga radhët e saj. Bërthama e parë e Shtëpisë së Provanisë Hyjnore nuk u ngrit lehtë e pati jetë të shkurtër – kujtoi Benedikti XVI - duke përmbledhur shkurtimisht historikun e vendit, që po vizitonte e duke shpjeguar se në vijim, në lagjen e Valdokos, pa dritën struktura e re, për ndërtimin e së cilës ndihmuan disa familje rregulltare.
Kotolengo - nënvizoi me kënaqësi Benedikti XVI – ndonëse kaloi çaste dramatike, i jetoi gjithnjë ngjarjet e kohës me besim e shpresë, duke parë në secilën prej tyre, praninë, mëshirën e madhështinë e Zotit që, më shumë se kudo, pasqyrohet pikërisht në fytyrat e të varfërve sepse, siç thoshte me bindje Shenjti, ata janë Jezusi! Shën Gjuzepe i shërbeu gjithë jetën Zotit e njeriut, i vënë në lëvizje nga fjala e Shën Palit Apostull: “Dashuria e Krishtit s’na lë të qetë!”. U përpoq, kështu, t’ia njihte të gjithëve, edhe më të papërfillurve, dinjitetin njerëzor, duke e kuptuar se ai që vuan, që mohohet, që përjashtohet, që nuk duhet, mbyllet në vetvete, izolohet, humbet besimin në gjithçka, edhe në vetë jetën. Prandaj u përpoq të krijonte afërsi me të vuajturit, të jetonte pranë tyre e me ta, ashtu si jetohet në gjirin e familjes, stil që vijon edhe sot në shtëpitë e ngritura prej tij.
Ati i Shenjtë përshëndeti edhe të sëmurët, duke i ftuar t’i jetojnë vuajtjet e tyre në bashkim me vuajtjet e Krishtit të vdekur e të ringjallur, për shëlbimin e botës e duke e konsideruar veten si gurë të çmuar në mozaikun e mrekullueshëm të artistit më të madh, Zotit.
“Krishti – vijoi të kujtonte Papa - vdiq në kryq, që të na shëlbojë, që jeta të lulëzojë me gjithë shkëlqimin e saj. Kjo shtëpi, një nga frytet e pjekura, të lindura nga Kryqi e nga Ringjallja e Krishtit, dëshmon edhe një herë se fjalën e fundit nuk do ta thonë kurrë vdekja, as vuajtja. Fjalën e fundit do ta thotë gjithnjë jeta! Kjo na ndihmon të kuptojmë një të vërtetë të madhe, që është edhe mesazhi i këtij ekspozimi solemn të Sindonës: 'Passio Christi- Passio hominis'!".
T’i lutemi, prandaj, Zotit të kryqëzuar, ta ndriçojë jetën tonë e të mbarë njerëzimit: të sotmen e të ardhmen, dhimbjen e gëzimin, mundimin e shpresat! Në përfundim Papa u takua me disa të sëmurë, që përfaqësonin të gjithë banorët e Shtëpisë së Vogël.
Nga Kotolengo Benedikti XVI u nis drejt aeroportit Torino-Kazele, ku u përshëndet me autoritetet, që e prisnin, dhe u nis për në aeroportin Romë-Çampino.







All the contents on this site are copyrighted ©.