2010-05-02 18:12:02

Maji e Zoja e Bekuar: lutja e Papës Mretëreshës Qiellore, nga Torino


(02.05.2010 RV)Muaji i majit lidhet me shpërthimin e pranverës e me rizgjimin e dashurisë në zemrën njerëzore. Mesjeta i këndonte dashurisë fisnike për gruan e zgjedhur. Në rrethana të tilla nisin lidhjet e para ndërmjet muajit maj e dashurisë për Marinë, lulen e njerëzimit, gruan më të bukur e më të rëndësishme të historisë. Alfonsi X i Spanjës (1284) shkroi një poezi me titull “Mirë se vjen, maj!”, duke kujtuar se ky muaj i përshtatet vetë figurës plot dritë të Marisë.
Kremtimi i muajit të majit nisi rreth viteve shtatëqind, përmes veprimtarisë së tre jezuitëve: veronezit atë Hanibal Dionizi (1725), palermitanit atë Françesk Lalomia (1758) dhe ferrarezit atë Alfons Muzareli (1785). Suksesi qe i papërshkrueshëm. Koncili II i Vatikanit e shikon Kohën Ardhjes si çast posaçërisht të përshtatshëm për Kultin kushtuar Nënës së Zotit, por duke theksuar se të krishterët e sotëm kanë përfitim të madh shpirtëror edhe nga kremtimi i muajit të majit, kushtuar Zojës së Bekuar. (Pali VI, Marialis cultus 4). Udhëzuesi mbi përshpirtërinë popullore e liturgjinë (2002) kërkon që muaji i majit, i harmonizuar me liturgjinë, të verë theksin mbi pjesëmarrjen e Virgjërës Mari në misterin e Pashkëve të Krishtit e të Rrëshajëve. E sot, dita e dytë e majit, nga Torino ku shkoi për të nderuar Sindonën, Benedikti XVI i drejtoi këtë lutje Mbretëreshës Qiellore:
“O Zojë, ruaji familjet e njerëzit që punojnë; ndihmoji ata, që e kanë humbur fenë e shpresën, ngushëlloji të sëmurët, të burgosurit, të munduarit; mbështeti, o Ndihma e të krishterëve, të rinjtë, pleqtë e njerëzit e trazuar nga vuajtjet e përditshme të jetës. Ruaji, o Nënë e Kishës, barinjtë e saj e gjithë bashkësinë e besimtarëve e ndërmjetëso pranë Hyjit t’i japë hirin për t’u bërë kripë e dritë në mes të shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.