2010-05-02 15:18:29

Benedikti XVI në Torino për Sindonën: feja nuk është kurrë kundër lirisë!


(02.05.2010 RV)Torino në festë, nën një qiell plot me re, e priti sot paradite me dashuri të jashtëzakonshme Papën, që vizitoi kryeqendrën piemontese, me rastin e ekspozimit të Sindonës. Më se 50 mijë vetë - në Sheshin e Shën Karlit për Meshën e kryesuar nga Benedikti XVI. Pasdite, takimi me të rinjtë, gjithnjë në Sheshin e Shën Karlit e me të sëmurët, në Shtëpinë e vogël të Provanisë Hyjnore të Kotolengos. Jashtëzakonisht prekës, meditimi i Papës para Sindonës ndërmjet dy takimeve të pasdites.
Torino, pra, ishte sot përplot me njerëz. Që në orët e para të mëngjesit, turmat kishin zënë rrugët e kishin mbushur plot Sheshin e Shën Karlit, ku u kremtua Mesha Shenjte. Besimtarët ishin aty për ta parë Papën e për t’i shtrënguar, në kalim, dorën. Prekës edhe fillimi i kremtimit, me përshëndetjen e Kryetarit të Bashkisë, Sergjio Kiamparino e të kardinalit Severino Poleto, kryeipeshkëv i Torinos.
Benedikti XVI ua ktheu përshëndetjen e i foli nga zemra qytetit e gjithë banorëve të tij, duke hyrë në problemet shoqërore, të punës, të integrimit e duke i nxitur besimtarët ta dëshmojnë fenë e krishterë, të luten e të besojnë me gjithë zemër në dashurinë shëlbuese të Krishtit. Kështu na e përshkruan Torinon sot, i dërguari ynë, Masimiliano Meniketi. Ta ndjekim: RealAudioMP3

“Pika kryesore e homelisë së Papës, mbajtur në Sheshin e Shën Karlit - mundimet, vdekja e ringjallja e Zotit, të pranishme në këtë Kohë Pashkësh, kohë – tha Papa - e lumnimit të Krishtit:
“Ai e deshi Atin, duke bërë vullnetin e tij deri në fund të fundit, me një dhurim të përkryer; e deshi njerëzimin, duke dhënë jetën e tij për ne. Kështu u lumnua që në Mundimet e tij; e Hyji u lumnua në Të. Por Mundimet janë vetëm një fillesë. Prandaj Jezusi pohon se lumnimi i tij do të jetë edhe i ardhshëm”.
Krishti na dhuroi vetveten, si model i dashurisë – tha Papa- i një dashurie pa cak, universale, të aftë për t’i shndërruar edhe rrethanat negative e pengesat, në raste që e ndihmojnë njeriun të ecë në rrugën e dashurisë. Jezusi na kërkon ta jetojmë dashurinë e Tij, në se dëshirojmë t’i kapërcejnmë vështirësitë, që shkaktojnë përçarje, inate, mllefe:
T’i duash të tjerët, ashtu si na deshi Jezusi, është e mundur vetëm me forcën që na jepet në lidhjen me Të, posaçërisht në Eukaristi, ku është i pranishëm në mënyrë reale Flijimi i dashurisë së Tij, që lind dashuri”.
Më pas, duke vënë theksin mbi sfidat e panumërta, që përballon qyteti i Sindonës, shtoi:
Mendoj në mënyrë të veçantë, për ata që e jetojnë konkretisht jetën në kushte pasigurie, për shkak të mungesës së punës, të paqartësisë për të ardhmen, të vuajtjes fizike e morale; mendoj për familjet, për të rinjtë, për të moshuarit, që shpesh provojnë vetminë, për të lënët pas dore, për emigrantët. Po, jeta është plot me vështirësi, plot me probleme, por pikërisht siguria, që vjen nga feja, siguria se nuk jemi vetëm, se Zoti e do secilin prej nesh pa dallim, e është pranë secilit, me dashurinë e Tij, na ndihmon t’i përballojmë, të jetojmë e ta durojmë shqetësimin e thellë, që na shkaktojnë telashet e përditshme”.
Ati i Shenjtë ripohoi edhe nevojën e dëshmimit të krishterë në çdo fushë e në çdo mjedis të jetës: në punë, në kulturë, në universitete e në familje. E duke iu drejtuar atyre, që janë thirrur të mbarështojnë pasurinë publike, i ftoi të punojnë për të mirën e përbashkët, duke i siguruar se:
“… mendimi i krishterë mbi njeriun nuk është kurrë kundër lirisë së tij, por në favor të përsosjes së tij, që mund të realizohet vetëm në qytetërimin e dashurisë”.
Ndërsa të rinjtë, të cilët do t’i takonte përsëri pasdite, i ftoi të mos e humbasin kurrë shpresën, që vjen nga Krishti, nga Ai, që u kryqëzua, që ndau me ne vuajtjen, që u ngjall e dëshiron të na bashkojë të gjithëve në dashurinë e tij – ashtu si na e kujton edhe Sindona e Shenjtë.
Nga Torino, ku shkoi për të nderuar Sindonën, Benedikti XVI i drejtoi këtë lutje Mbretëreshës Qiellore, kremtuar menjëherë pas Meshës:
“O Zojë, ruaji familjet e njerëzit që punojnë; ndihmoji ata, që e kanë humbur fenë e shpresën, ngushëlloji të sëmurët, të burgosurit, të munduarit; mbështeti, o Ndihma e të krishterëve, të rinjtë, pleqtë e njerëzit e trazuar nga vuajtjet e përditshme të jetës. Ruaji, o Nënë e Kishës, barinjtë e saj e gjithë bashkësinë e besimtarëve e ndërmjetëso pranë Hyjit t’i japë hirin për t’u bërë kripë e dritë në mes të shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.