2010-05-02 17:20:16

Ati i Shenjtë të rinjve: dashuria është pasuria më e madhe e jetës. Zoti vetë është dashuri!


(02.05.2010 RV)Pasdite Benedikti XVI u rikthye në Sheshin e Shën Karlit, për takimin me të rinjtë. Takimin e hapi kardinali Poleto, pas të cilit Papën e përshëndetën Izabela Brianca, zëvendës-kryetare dioqezane e të rinjve të Veprimit Katolik dhe Vinçenco Kamarda, përfaqësues i Shoqatës së Oratoreve dioqezane.
Në qendër të fjalimit të Papës, i riu i Ungjillit, që e pyet Jezusin: “Ç’duhet të bëj për të pasur jetën e pasosur?”, e përgjigjja që i jep Zoti. Sot – shpjegoi Papa – nuk është aspak e lehtë të flasësh për jetën e amshuar e për realitetet e amshuara, sepse mendësia e kohëve tona na thotë se nuk ekziston asgjë përfundimtare; gjithçka ndryshon, e madje me shpejtësi të rrufeshme. “Të ndryshosh” është bërë, në shumë raste, fjala e ditës, ushtrimi më i lartë i lirisë. E në këtë mënyrë, edhe ju, të rinj, mendoni nganjëherë se është e pamundur të zgjedhësh përfundimisht rrugët, të cilat do t’i përshkosh, pa dredhuar, për gjithë jetën.
Por, a është kjo mënyra e drejtë për ta përdorur lirinë? Thua të jetë e vërtetë se duhet të kënaqemi me gëzime të vogla, të përkohshme, të cilat, sapo të kenë mbaruar, të lenë në zemër zbraztësi, hidhërim?
Të dashur të rinj – vijoi të kujtojë Benedikti XVI – nuk është kjo liria e vërtetë. Nuk arrihet kështu lumturia. Secili nga ne është krijuar për të zgjedhur rrugë përfundimtare, të paprapsueshme, që i japin kuptim të vërtetë jetës. E shikojmë në jetën tonë: kur jetojmë një përvojë të bukur, që na mbush me lumturi, dëshirojmë që koha të ndalet e gëzimi të mos mbarojë kurrë. Zoti na ka krijuar për të jetuar ‘gjithmonë’, ka hedhur në zemrën e secilit nga ne, farën për një jetë të bukur, të madhe:
"Në dialogun me të riun – nënvizoi Papa – Jezusi i tregon cila është pasuria më e madhe e jetës: Dashuria. Të duash Zotin e t’i duash të tjerët me gjithë vetveten. E – shpjegoi Papa - e dimë të gjithë se fjala dashuri ka shumë kuptime: ne kemi nevojë për një Mësues, për Jezusin, që të na e tregojë kuptimin më të vërtetë e më të thellë, të na prijë në jetë e në dashuri. Dashuri është emri i vetë Zotit! Na e kujton këtë Shën Gjoni Ungjlltar: “Zoti është dashuri!”.
Duke ndjekur lajtmotivin e gjithë fjalimit, Papa u kujtoi të rinjve se Krishti e do secilin prej tyre me të njëjtën dashuri, që pati për të riun e Ungjillit. E dashuria e Tij nuk kufizohet në të kaluarën, nuk është shpresë e kotë, nuk u përket vetëm pak njerëzve – nënvizoi Papa - e në vijim i ftoi të rinjtë ta kërkojnë këtë dashuri, duke marrë pjesë gjallërisht në jetën e bashkësisë së krishterë.
U paraqiti, më pas, edhe modelin për një jetë të tillë, duke u kujtuar të lumin Pierxhorxho Frasati e duke theksuar se ky i ri torinez e shkriu gjithë jetën në shërbim të pasionuar të Krishtit e të vëllezërve. Meriton të ndiqet, prandaj.
Në përfundim të fjalimit prekës të Benediktit XVI, thirrja, aktuale për gjithë të rinjtë:
“Të rinj të Torinos e të Piemontit, të jeni dëshmitarë të Krishtit në kohën tonë! Uroj që Sindona e Shenjtë të stampojë në shpirtin tuaj fytyrën e dashurisë së Zotit, për të qenë edhe ju vetë, në mjediset tuaja, me bashkëmoshatarët tuaj, shprehje e besueshme e fytyrës së Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.