Lutje drejtuar Shën Jozefit punëtor në ditën e festës
(01.05.2010 RV)Me rastin e festës së sotme të Shën Jozefit punëtor, po kujtojmë
këtë lutje aktuale, kushtuar Shenjtit: O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj
gati kurrë lutjen time. Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në
hije. Por sot, ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty: Shën Jozef,
ti je në hije - a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse fare pranë Atij, që është
Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme. Ti nuk e kundërshton errësirën.
Mësona ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas dore. Na
mëso ta duam. Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishe një vend
të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar shumë më
tepër për ty. Ndoshta të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël, që të të
mund të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla. Shën
Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr
atë që duhet të bëje. Na ndihmo ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë
Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe kur jemi zgjuar. Shën Jozef, ti i pranove sprovat
që të çoi Zoti. Ti e more me vete të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush
të shikoi shtrembër, ndonëse pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë
arsye humbe miq e emër të mirë. Na ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit edhe kur na
dhemb. Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë, sepse biri yt- që nuk ishte
yt bir, - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmurove.
More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë
drejt Egjiptit. Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje,
sepse ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka
ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk
mund ta kuptojë. Gjithsesi dashuria jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë
qenë tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt
e virtyti më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të dashur! Shën Jozef, na
mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit, ta duam edhe punën, që ti e bëre me aq
durim e kujdes; na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso të heqim dorë nga shumë gjëra,
për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë që të përvëlon e të bën të vuash. Na mëso
atë dashuri që është vëretetë dashuri. Shën Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre
që e kanë humbur. Lute për ta Jezusin, Birin e Zotit. Na e mëso dashurinë e vërtetë,
në kohën tonë që ka aq shumë nevojë për dashuri! Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë
së Kishës, ti gati-gati ke qenë harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri
e Pali, martirët Shtjefni e Lorenci, dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma
e Deda, reformatorët Françesku i Asizit e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të
Kishës Katerina e Tereza, e erdhën më pas edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain
e Maksimilian Kolbe. Pas këtyre njerëzve, kush nuk e harron njeriun që e kaloi
gjithë jetën në hije, për të cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazarethit? Mos u
zemro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet për të të nxjerrë nga hija në dritë
dështojnë njëra pas tjetrës. Edhe punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë
ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi, që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk
të ndihmon aq shumë. E kjo ndodhë sepse ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija
e nga terri. Më mëso, ti, zejtar i thjeshtë, të mos kërkojmë duartrokitjet, dritat
e skenës, publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë kemi dëshirë
të bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata. Shën Jozef, na mëso se të gjitha
këto dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon, madje ai që e do hijen,
gjen Jezusin e Atin!Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë vendin tonë në hije e në errësirë! Amen!