2010-05-01 18:51:37

Komunikatë e Selisë së Shenjtë për vizitën apostolike Legjionarëve të Krishtit


(01.05.2010 RV)U botua sot komunikata e Selisë së Shenjtë mbi takimin, mbajtur dje e sot në Vatikan, me pesë ipeshkvijtë e ngarkuar për vizitën apostolike në Kongregatën e Legjionarëve të Krishtit. Takimin e kryesoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Një nga seancat u zhvillua në praninë e Papës.
Në komunikatë nënvizohet se “ipeshkvijtë, gjatë vizitës apostolike, takuan një numër të madh rregulltarësh shembullorë, të ndershëm, të talentuar, shumë prej të cilëve, të rinj, që kërkojnë plot zell Krishtin e që e dhurojnë me gëzim gjithë vetveten për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit”. Gjatë vizitës apostolike, zhvilluar me frymën e bashkëpunimit nga ana e Kongregatës dhe e rregulltarëve të veçantë, u vërtetua se sjellja e themeluesit të Legjionarëve, atë Marcial Maciel Degollado, pati pasoja aq serioze në jetën dhe në strukturën e Legjionit, sa të kërkohet rishikim i thellë i gjithë rrugës së përshkuar. Sjelljet e ulëta e vërtetë imorale të atë Maciel-it, të konfirmuara nga dëshmi të pamohueshme, u ngjasin nganjëherë krimeve të mirëfillta e flasin për një jetë pa pikën e ndërgjegjes e pa ndjenja të vërteta fetare. Shumica e legjionarëve nuk kishin fare dijeni mbi këtë jetë, edhe për shkak të sistemit të lidhjeve, krijuar nga atë Maciel, që ia kishte arritur të krijonte alibinë, të fitonte besimin, të siguronte konfidencën e, sidomos, heshtjen e atyre, që e rrethonin, duke forcuar kështu rolin e tij si themelues karizmatik. Zelli i sinqertë i shumicës së legjionarëve - vijon komunikata – i vërejtur edhe përmes vizitave në Shtëpitë e Kongregatës si dhe veprat e shumta, të vlerësuara nga njerëz të ndryshëm, në të kaluarën krijuan idenë se akuzat, që bëheshin gjithnjë më këmbëngulëse e që vijonin të dëgjoheshin aty-këtu, nuk mund të ishin tjetër, veçse shpifje. Prandaj zbulimi dhe njohja e së vërtetës për themeluesin, shkaktoi ndërmjet anëtarëve të Legjionit habi, shqetësim e dhimbje të thellë. Duke u nisur nga rezultatet e vizitës apostolike, u pa e nevojshme të ripërcaktohet karizma e Kongregatës së Legjionarëve të Krishtit, duke ruajtur bërthamën e vërtetë, atë të ‘Militia Christi”, që e dallon veprimtarinë apostolike e misionare të Kishës e nuk kërkon rezultate me çdo kusht. U kërkua të rishikohet ushtrimi i autoritetit, që duhet të jetë i lidhur me të vërtetën, për të respektuar ndërgjegjen e për t’u zhvilluar në dritën e Ungjillit, si shërbim i mirëfilltë i Kishës; të ruhet entuziazmi fetar, zelli misionar, gjallëria apostolike e të rinjve, përmes formimit të tyre të përshtatshëm. Në të vërtetë – theksohet në komunikatë - zhgënjimi nga themeluesi mund ta ligështojë si thirrjen, ashtu edhe bërthamën e karizmës, që u përket Legjionarëve të Krishtit e që i dallon nga të tjerët. Papa dëshiron t’i sigurojë të gjithë legjionarët dhe anëtarët e Lëvizjes “Regnum Christi”, se nuk do të lihen vetëm. Kisha është e vendosur t’i shoqërojë e t’i ndihmojë në rrugën e pastrimit, që i pret. Ajo do të ballafaqohet sinqerisht me të gjithë ata që, brenda e jashtë Legjionit, qenë viktima të shpërdorimeve seksuale e të sistemit të pushtetit, ushtruar nga themeluesi: për ta mendon e lutet këtë çast Ati i Shenjtë, i cili u shpreh edhe mirënjohjen e tij sepse, pa marrë parasysh vështirësitë, patën guximin e qëndresën të kërkojnë të vërtetën.
Benedikti XVI, duke i falënderuar vizitatorët për punën e tyre delikate, të kryer me kompetencë, bujari e ndjeshmëri të thellë baritore, u mjaftua të kujtojë se në të ardhmen do të tregojë mënyrat e këtij shoqërimi, duke filluar nga emërimi i një delegati të tij e të një Komisioni studimi mbi Kushtetutën. Anëtarëve të shuguruar të Lëvizjes “Mbretëria e Krishtit”, Papa do t’u dërgojë një vizitator, të cilin e kanë kërkuar me këmbëngulje. Papa – përfundon komunikata e Selisë së Shenjtë – u jep zemër të gjithë legjionarëve të Krishtit, familjeve të tyre dhe laikëve të impenjuar në Lëvizjen “Mbretëria e Krishtit”, ta vijojnë misionin edhe në këtë çast të vështirë për Kongregatën e për secilin prej tyre. I nxit të mos harrojnë se thirrja e tyre, buruar nga thirrja e Krishtit e gjallëruar nga ideali për t’i dëshmuar botës dashurinë e Zotit, është dhuratë e vërtetë e Hyjit, pasuri për Kishën, themel i pashkatërrueshëm, mbi të cilin duhet ndërtuar ardhmëria vetjake dhe ajo e Legjionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.