2010-04-30 17:30:09

Papa në koncertin ofruar nga Presidenti Napolitano: e ndjej dashurinë e popullit italian.


(30.04.2010 RV)“Në këtë akt të njerëzishëm, shikoj një shenjë të re të dashurisë së popullit italian”: me këto fjalë Papa e falënderoi presidentin italian, Giorgio Napolitano, për koncertin, dhënë dje pasdite me rastin e 5-vjetorit të papnisë së Benediktit XVI, në Sallën e Palit VI, në Vatikan.
Pak para se të fillonte koncerti, Papa e Napolitano biseduan rreth njëzet minuta, gjatë të cilave – sipas njoftimit të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u prekën tema të aktualitetit ndërkombëtar, duke u ndaluar sidomos tek situata në Lindjen e Mesme. Papa foli për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve të Lindjes së Mesme, programuar për në tetor 2010 dhe u lut përsëri për Italinë. Me rastin e këtij koncerti, Napolitano i dhuroi Atit të Shenjtë një botim anastatik me përkthimin e parë në gjuhën italiane të “De Europa”, vepër e Enea Silvio Pikolomini-t, Papës Piu II. Presidenti i Italisë nënvizoi edhe rolin e rëndësishëm në shërbim të së mirës e të harmonisë, nga ana e shumë meshtarëve, që kryejnë misionin e tyre në Itali. Duke folur, pastaj, për problemet e botës, e cila ndryshon vazhdimisht, e duke kujtuar krizën e thellë në Lindjen e Mesme, uroi që përpjekjeve për gjetjen e rrugëzgjidhjes të mos u mungojë mbështetja e asaj Evrope solidare, që përshkruan Piu II.

“Studimi i muzikës ka vlerë të lartë në procesin edukativ të njeriut, sepse luan rol pozitiv në zhvillimin e individit, duke favorizuar rritjen e harmonishme njerëzore e shpirtërore”. Benedikti XVI e hapi me këto fjalë përshëndetjen drejtuar Orkestrës rinore italiane të Shkollës muzikore të Fiezoles, drejtuar nga mjeshtri Nikola Paskovski, e cila luajti pjesë muzikore të kompozuara nga Samartin, Moxart e Beetoven. Muzika - vijoi Ati i Shenjtë - është e aftë t’u hapë mendjeve e zemrave përmasën e shpirtit...:
“.. t’i nxisë njerëzit të lartojnë sytë drejt të Lartit, t’ia hapin zemrat së Mirës e së Bukurës absolute, që e kanë burimin e tyre të fundmë në Zotin. Atmosfera festive, që krijojnë kënga e muzika, janë edhe ftesë e përhershme drejtuar besimtarëve e njerëzve vullnetmirë, që të impenjohen për t’i dhënë njerëzimit një ardhmëri plot shpresë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.