2010-04-30 17:30:24

Kardinali Toran në takimin ndërfetar të Bakusë: të promovohet vëllazërimi ndërmjet besimtarëve në kohën e globalizimit.


(30.04.2010 RV)Besimtarët të jenë dëshmitarë të shpresës në botë - këtë theksoi kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i dikasterit papnor për Dialogun Ndërfetar, duke folur pak ditë më parë në takimin botëror të rangut të lartë të prijësve fetarë, në Baku të Azerbajxhanit. Gjatë këtij takimi pati edhe një dialog të rëndësishëm azero-armen për paqen në zonën kaukazike, shoqëruar me një meditim të Patrikut të Moskës e të të gjithë Rusive, Kirill.
Për një bilanc të takimit, të ndjekim vetë kardinalin Toran, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - J’ai eu l’occasion, dans mon discours, de mettre en relief le fait que ...
Në fjalimin tim, pata rastin të vë në dukje faktin se globalizim nuk do të thotë, automatikisht, edhe vëllazërim: përkundrazi! Prandaj është e nevojshme që besimtarët të bisedojnë njëri me tjetrin, ta njohin e ta shqyrtojnë atë, që mund të bëjnë së bashku për dialogun ndërfetar, në shërbim të vlerave e të shoqërisë, duke shmangur dy të këqija të mëdha: relativizmin dhe intolerancën. Në fjalën time u përpoqa të shpjegoj rolin e posaçëm të besimtarëve në ndërtimin e kësaj bote.

Pyetje: - Në këto zona të Kaukazit, myslimanët janë të shumtë…

Përgjigje: - Les musulmans en Azerbaijian sont des musulmans tolérants
Në Azerbaixhan myslimanët janë tolerantë: kreu fetar mysliman, njëri nga kryetarët e takimit, është njeri shumë dashamir, i gatshëm për të bashkëpunuar me katolikët e me besimtarët në përgjithësi e, sidomos, me Selinë e Shenjtë. Më foli shumë herë për Papën, më shprehu admirimin e tij për Atin e Shenjtë, ndërsa me mua është sjellë gjithnjë me delikatesë të madhe; e kam qenë gjithnjë përkrah tij në raste zyrtare. Besoj se është shembull i harmonisë…

Pyetje: - Diskutuat edhe për çështjen e fondamentalizmit fetar, apo vetëm për çështjen e terrorizmit, duke pasur parasysh se në shumë zona të Kaukazit, situata është e paqëndrueshme…

Përgjigje: - Dans le document final, il y a effectivement une allusion au terrorisme...
Në të vërtetë, në dokumentin përfundimtar përmendet terrorizmi. Ripohuam se krerët fetarë duhet ta shmangin rrezikun, që feja të përdoret në shërbim të dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.