Sekretari i përgjithshëm i Natos, Rasmussen viziton sot Shqipërinë
(29.4.2010RV)Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, viziton
për herë të parë sot Tiranën, ku pritet të takohet me autoritetet më të larta të vendit
të Shqipërisë. Sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë,
takimin e parë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës veriatlantike do ta ketë me zv/kryeministrin
dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, me të cilin do të japë dhe një deklaratë për shtyp.
Më pas, Rasmussen do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes nga ministri Arben Imami,
për të vijuar me takimin në kryeministri me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin
do të ketë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Axhenda e Sekretarit
të Përgjithshëm të NATO-s do të pasohet nga takimet me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina
Topalli dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Kujtojmë që Anders Fogh
Rasmussen, ish-kryeministër i Danimarkës, u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm
të Aleancës në prill 2009, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Strasburg. Ai zëvendësoi
në këtë post holandezin Jaap de Hoop Scheffer.