2010-04-29 15:25:26

Papa ipeshkvijve të Liberisë, Gambies e Sierra Leones: nxisni dialogun me islamin; mentaliteti kundër lindjeve nuk është përparim kulturor


(29.04.2010 RV)Paqja, mbrojtja e jetës dhe e familjes, formimi i laikëve dhe i meshtarëve ishin temat, për të cilat foli Papa sot në takimin me ipeshkvijtë afrikanë të Liberisë, Gambies e të Sierra Leones, në Romë për vizitën e tyre “ad Limina”. Benedikti XVI uroi që qytetarët e këtyre vendeve të impenjohen më shumë në luftën kundër korrupsionit e në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë.
Në këto tri vende, Kisha Katolike punon për pajtimin, përmes respektimit të drejtësisë e të së vërtetës:
“Në shërbimin tuaj në favor të paqes - u tha ipeshkvijve Papa – vazhdoni të nxisni dialogun me fetë e tjera, sidomos me islamin, duke kundërshtuar çdo formë intolerance, padrejtësie dhe shtypjeje”.
Ipeshkvijtë, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të impenjohen edhe në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër sëmundjeve dhe ushqimit të pamjaftueshëm, në mbrojtjen e jetës e të familjes:
“Në një ambient të karakterizuar nga divorci e poligamia, jeni të thirrur të nxisni bashkimin e të mirën e familjes së krishterë, bazuar mbi Sakramentin e martesës”.
Papa i kërkoi Kishës të mbrojë dinjitetin e gruas dhe të luftojë mentalitetin kundër lindjeve, i cili – theksoi Benedikti XVI – nuk përbën përparim kulturor. Së fundi, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e formimit të meshtarëve dhe të punës së tyre në shoqëri, sidomos me emigrantët e refugjatët, me të varfërit e nevojtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.