2010-04-29 15:18:35

Ministri i Jashtëm italian,Frattini, e ardhja e Kosovës në BE


(29.4.2010RV)"E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian", u shpreh ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, në fjalën e tij dje pasdite në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë.
Duke vënë në dukje se Italia është një ndër shtetet që njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës, Frattini tha se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme".
Ai garantoi se Italia mbështet zhvillimet lokale dhe qendrore në Kosovë, ndërsa kërkoi nga autoritet të plotësojnë rekomandimet e Brukselit.
Frattini u ndal tek tregtia dhe ekonomia, ndër sektorët ku Kosova mund të zhvillojë një perspektivë europiane. "Italia mendon se duhet të bëhet çdo përpjekje nga ana e Prishtinës, në mënyrë që të nëshkruhen marrëveshje të tregtisë midis BE dhe Kosovës", tha mes të tjerave Frattini.
Sipas tij, edhe BE duhet të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për Kosovën, në mënyrë që ajo të arrijë zhvillimin. "Një hap tjetër për të ecur drejt perspektivës europiane të Ballkanit, në këtë rast dhe Kosovës është që të sigurohemi që ky rajon mbetet me prioritet në axhendën e BE", tha më tej Frattini.
Duke folur mbi Konferencën e Sarajevës që do të mbahet në qershor, Frattini tha se "të gjitha vendet e rajonit dhe ne radhë të parë Beogradi dhe Prishtina janë ato që duhet të marrin pjesë dhe të tregojnë qëndrimin e tyre fleksibël dhe të drejtë". Sipas Frattinit, "kjo konferencë do të shënojë një test të rëndësishëm për pjekurinë europiane dhe bashkëpunim rajonal, test që ne presim ta kalojmë me sukses dhe me pozitivizëm".
Ai ripërsëriti ftesën e bërë në Beograd për dialog të frytshëm midis Kosovës dhe Sërbisë. "Duhet të bëjmë dhe zhvillojmë çdo përpjekje, në mënyrë që të mbështesim pajtimet rajonale të shteteve, sepse Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një mënyrë për një komunikim konstruktiv", theksoi Frattini.
Po kështu, sipas tij, është e rëndësishme që situata të përmirësohet në veri të Kosovës, ndaj duhet gjetur zgjidhje pragmatike, "në mënyrë që t'u qasemi problemeve konkrete siç janë administrata, apo administrimi i gjyqësorit dhe funskionalizimi i doganës".
Frattini tha se "Italia gjendet në vijën e parë të frontit sa i përket ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës. Përkushtimi ynë në misione ndërkombëtare në Kosovë do të jetë i madh në aspektin sasior dhe cilësor".
Ministri italian i Jashtëm u ndal dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe etnike në Kosovë, duke u shprehur se "Italia bën përpjekje në mbrojtje e trashëgimisë kulturore dhe religjioze këtu".
"Italia do të inkuarajojë palët e përfshira dhe do të sigurojë që këto trashëgimi me vlerë që janë si pishtarë të pajtimit dhe dialogut, të mos jenë asnjëherë simbole të ndarjes dhe konfrontimit, duke marrë gjithmonë parasysh dallimet legjitime të diversitetit fetar e kulturor këtu", nënvizoi ai.
"Ne jemi të vetëdijshëm që zhvillimi i sigurisë në Kosovë dhe Ballkan varet edhe nga mbrojtja e identitetit dhe bashkëjetesës multi-etnike dhe respektimit të të drejtave themelore të të gjithëve, përfshirë këtu edhe të drejtën për liritë fetare", tha Frattini në fjalën e mbajtur sot pasdite në Kuvendin e Kosovës. ( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.