Diskutim i atë Lombardit në seminarin e zëdhënësve të Kishës.
(29.04.2010 RV)Një panoramikë e plotë, kushtuar funksioneve dhe objektivave
të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë: është ajo që bëri dje paradite atë Federiko
Lombardi, zëdhënës i Vatikanit, duke pritur pjesëmarrësit e Seminarit profesional
të zëdhënësve të Kishës, që u mbyll dje pasdite në Romë. Takimi, i titulluar “Komunikimi
në Kishë, identitet e dialog”, u organizua nga Universiteti Papnor i Shenjtes Krygjë.
Një portë e hapur ndërmjet Vatikanit e botës së komunikimeve shoqërore: kështu
e quajti atë Lombardi Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke rikujtuar se është
në shërbim të gazetarëve, me qëllim që ta kuptojnë sa më thellë shërbimin papnor.
Një komunikim – shtoi atë Lombardi – me dy drejtime kryesore: “Mendojmë të
punojmë në dy drejtime: t’i komunikojmë botës së informacionit tekste, njoftime,
dokumente të Selisë së Shenjtë, ndërsa na drejtohen edhe pyetje, përpiqemi të kuptojmë
problemet dhe shqetësimet, për t’u propozuar eprorëve tanë të Selisë Apostolike çështje,
që duhen përballuar, përgjigje, që u duhen dhënë pyetjeve. Zëdhënësi i Vatikanit
u ndalua, më pas, tek rëndësia e marrëdhënieve të qeta, objektive, të plota, me gazetarët,
duke shmangur fjalët e përgjithshme: “Nuk mund të them kurrë se mediat janë
të këqija. Më duket gabim i madh. E di se mediat pasqyrojnë shumë qëndrime e shumë
sjellje të ndryshme, e edhe shumë aftësi të ndryshme profesionale, që hyjnë në dialog
me mua, që interpretojnë, për mua, atë që pret publiku i gjërë”. Duke ripohuar,
më pas, vlerën e burimeve të besueshme, Atë Lombardi kujtoi se është e nevojshme një
transparencë më e madhe në komunikimin e Kishës: “Të japim sa më shumë informacion,
që mund e dimë të japim, në mënyrë që të kufizohet përshtypja, të cilën e kanë shumë
njerëz, sipas së cilës ne kemi kulturën e sekretit, ose kemi gjëra për të fshehur”. Prej
këndej, drejtori i Sallës së Shtypit, duke u ndaluar tek shpërdorimet mbi të miturit
nga ana e disa klerikëve, tha: “Besoj se është argument, që nuk duhet mbuluar,
e as nuk duhet harruar, madje është detyra jonë të bëjmë që të zhvillohet komunikimi
në Kishë e në shoqëri rreth nesh, në një drejtim më pozitiv”. Atë Lombardi
kujtoi, së fundi, takimet më të rëndësishme papnore në muajt e ardhshëm, ndërmjet
të cilëve, shtegtimin e Atit të Shenjtë në Angli, parashikuar për në shtator 2010.
Papa do të jetë personalisht i pranishëm në lumnimin e kardinalit John Henry Newman:“Është
shumë interesante. Kjo sigurisht do të thotë se Papa interesohet në mënyrë të posaçme
për figurën e Newman, sepse ngjarja është themelore gjatë gjithë këtij shtegtimi,
të cilin, me sa duket, dëshironte ta bënte dhe e quante të nevojshëm”.