2010-04-28 18:05:52

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Pjetrin Shanel, meshtar e martir.


(28.04.2010 RV)Autuna është një "shprehje e vogël gjeografike", një ishull i vogël, i cili shënohet në Atlas me një pikëz. Vendosur ndërmjet Ekuadorit e tropikut të Bririt të Cjapit, në Oqeanin pakufishëmn Paqësor, një copëz e ishujve Figi, është cak i këndshëm për turistët, të cilëve u pëlqejnë vendet ekzotike. Me një popullsi krejtësisht katolike, sot jeton në paqe. Por njëqind vjet më parë e pikërisht më 12 nëntor 1837, kur këtu zbarkoi shëndosh e mirë misionari marist Pjeter Shanel, i shoqëruar nga një vëlla shekullar, ishulli, i ndarë në dy pjesë nga një vargmal, që i kalon përmes, e në dy fise, në luftë të përhershme njëri me tjetrin, nuk ishte fare një vend i këndshëm turistik.
Vetëm guximi e dashuria e krishterë e një njeriu të Zotit mund ta zgjidhte këtë vend si cak për misionin e vet, pa marrë parasysh rreziqet që e kërcënonin. E pikërisht këtu Pjetër Shanel do ta përfundonte aventurën e tij prej ugjillëzuesi, i goditur me kopaçe e sopatë, më 28 prill 1841 nga dhëndrri i kryetarit të fisit, Musumusu, i cili qe zemruar, sepse ndërmjet atyre që qenë kthyer në fenë e Krishtit ishin disa nga pjesëtarët e familjes së tij.
Pjetër Shanel pati lindur në Francë, në Kyet, më 12 korrik 1803. Hyri që i ri në seminar dhe shumë shpejt u shugurua meshtar. Deshi të shkonte menjëherë në mision, por nuk mundi ta realizonte dëshirën, sepse ipeshkvi i tij kishte nevojë për meshtarë. U lidh me rregulltarët maristë, të cilët realizonin idealin misionar ndër famullitë ku punonin. Sapo iu krijuan mundësitë, u nis menjëherë për në Oqeani, ku gjeti një mjedis krejt të ndryshëm, nga ai që kishte lënë. Megjithatë, me këmbënguljen e tij, Ungjilli nisi të rrënjosej në shpirtin e të rinjve. Iu desh ta paguante këtë me gjak. Kur ia kishte arritur të ungjillëzonte thuajse të gjithë ishullin, pleqtë fanatikë e martirizuan. Martiri i krishterë, i lumnuar më 17 nëntor 1889, u shkrua në radhët e shenjtorëve më 12 qershor 1954, për t'u shpallur menjëherë edhe Pajtor i Oqeanisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.