2010-04-27 16:09:05

Pesëvjetori i audiencës së parë të përgjithshme të Benediktit XVI: në zgjedhjen e emrit si Pasardhës i Shën Pjetrit, dëshira për paqe.


(27.04.2010 RV)Nesër, si çdo të mërkurë, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, do të mbahet audienca e përgjithshme e Papës. Po nesër bie përvjetori i vizitës së Benediktit XVI në popullsitë e dëmtuara nga tërmeti në Abruco të Italisë. Ndërsa si sot, pesë vjet më parë, më 27 prill 2005, Ati i Shenjtë mbajti audiencën e tij të parë, gjatë së cilës shpjegoi pse zgjodhi emrin Benedikt, si Shenjti i Norçës, Pajtor i Evropës dhe si Papa që udhëhoqi Kishën gjatë Luftës I Botërore. Pikërisht për këtë të fundit, Papa Racinger pati thënë:
“Ishte profet i guximshëm dhe i vërtetë i paqes dhe punoi me guxim të jashtëzakonshëm fillimisht për të shmangur dramën e luftës e pastaj për të kufizuar pasojat e saj. Në gjurmët e tij dëshiroj të shërbej për pajtimin e harmoninë ndërmjet njerëzve dhe popujve, thellësisht i bindur se pasuria e madhe e paqes është para së gjithash dhuratë e Zotit, dhuratë e brishtë dhe e çmuar për të cilën duhet të lutemi, të kujdesemi e të përpiqemi ditë për ditë me ndihmën e të gjithëve”.
Por emri Benedikt të kujton menjëherë edhe “Patriarkun e monakizmit perëndimor”. Papa shpjegoi se shën Benedikti nga Norça nderohet shumë në Bavierë, në vendlindjen e Jozef Racinger. Ai përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës dhe për rrënjët e saj të krishtera:
“Në fillim të shërbimit tim si Pasardhës i Shën Pjetrit i lutem shën Benediktit të na ndihmojë ta mbajmë gjithnjë Krishtin në qendër të jetës sonë. Ai qoftë gjithmonë në vendin e parë në mendimet e në çdo aktivitet tjetër tonin!”







All the contents on this site are copyrighted ©.