2010-04-27 16:09:37

Më shumë ipeshkvij e meshtarë në botë, por jo nga Evropa


(27.04.2010 RV)Numri i ipeshkvijve katolikë në botë, në tetë vitet që shkojnë nga 2000-shi në 2008-n, është rritur nga rreth 4.500 në rreth 5.000. Kështu del nga Vjetari Statistikor i Kishës Katolike për vitin 2008, paraqitur këto ditë.
Shqetësuese, ulja e numrit të meshtarëve në Evropë, që duke pasur parasysh në përgjithësi si dioqezanët, ashtu edhe rregulltarët, ka arritur në -7,63%. Gjithsesi, në nivelin planetar, numri i priftërinjve është rritur, pavarësisht se me përqindje të ndryshme, në pesë kontinentet.
Në Afrikë e në Azi, numri i meshtarëve është rritur me 33,1% dhe me 23,8%; gjendja është e pandryshuar në Amerikë, por është në rënie Evropa, siç thamë, dhe Oqeania, me -4%. Në rritje edhe numri i katolikëve të pagëzuar në botë: nga 1 miliard e 45 milion në vitin 2000, në 1 miliard e 166 milion në vitin 2008. Për t’u shënuar se rritja e numrit të katolikëve është pak më e madhe se përqindja e rritjes së popullsisë botërore, gjë që do të thotë se shumë prej pagëzimeve bëhen në moshë të madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.