2010-04-26 11:43:52

Shpallet i Lum karmelitani Anxhelo Paoli


(25.04.2010 RV)Në Meshën e kremtuar nga kardinali vikar i Romës, Agostino Valini në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u shpall sot i Lum meshtari karmelitan Anxhelo Paoli. Riti i Lumnimit u kryesua nga prefekti i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësuesi i Papës, imzot Anxhelo Amato.
I Lumi i ri lindi në Arxhiliano të Toskanës, më 1 shtator 1642, në një familje të krishterë, që e quajti Françesk. Sëbashku me të vëllain, Tomazo, veshi rroben e karmelitanëve më 1 dhjetor 1660 në kuvendin e Sienës, dhe mori emrin Anxhelo (Engjëll), për nder të shenjtit karmelitan Anxhelo i Likatës. Mori kushtet e përjetshme më 18 dhjetor 1661 dhe shkoi në Piza për studimet e filozofisë. U shugurua meshtar më 1667. Ndodhej në kuvendin e Firences, ku kishte shkuar për studime të mëtejshme, të cilat i la për t’iu kushtuar kujdesit për të varfërit. Nga ajo kohë u spostua disa herë e bëri disa profesione, si mësues gjuhe, organist e diakon, por thirrja e tij kryesore ishte t’u shërbente të varfërve e të sëmurëve. Në Siena e në Montekatini ngriti kuzhina fushore. E quajtën “Atë Bamirësia”. Fama e dashurisë së tij për të afërmin, por edhe thellësia e formimit doktrinor e besnikëria ndaj rregullës karmelitane, bënë që Eprori ta niste për në Romë, drejt Shtëpisë së përgjithshme të karmelitanëve. Atë Anxhelo u nis, por ndërsa hynte në Romë nga Porta e Popullit, Zoti i çoi një lebroz, që frati e pastroi nga plagët, pasi e përqafoi. Kjo shënoi gjestin e parë të shërbimit të tij në Romë. Pranë kuvendit ku qëndronte, organizoi shpërndarjen e përditshme të bukës e të një pjate gjellë, ndihmonte çdo person që trokiste në dyert e kishës, sidomos në situata të vështira për qytetin, siç ishin përmbytjet e lumit Tiber. Pati kujdes të veçantë për të sëmurët e spitalit Shën Gjoni dhe ngriti një strehë për të varfërit pranë bazilikës së Shën Klementit. Ndërroi jetë më 28 janar 1720, në moshën 78 vjeçare. Një turmë e jashtëzakonshme mori pjesë në funeral. Është i pari që vendosi kryqin në Koloseum, duke u bërë pararendës i Udhës së Kryqit që kremtohet aty çdo vit, të Premten e Madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.