2010-04-26 17:38:14

Pritet vizita e Papës në Torino, ku është ekspozuar Sindona: të krishterët të kundrojnë misterin e Fytyrës së Krishtit!


Besimtarët e Torinos presin, me entuziazëm të madh, vizitën e Papës, të dielën e ardhshme, me rastin e ekspozimit të Sindonës së Shenjtë. Një ngjarje e jashtëzakonshme që, duke nisur nga 10 prilli, po tërheq çdo ditë në kryeqendrën piemonteze, dhjetra mijëra shtegtarë nga mbarë bota. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, më 1 prillin e kaluar, Papa kujtoi se një ditë më parë, në Torino, kishte filluar ekspozimi solemn i Sindonës, pëlhurës së shenjtë, me të cilën besohet se qe mbështjellë Krishti, para se të varrosej.
Benedikti XVI do të jetë shtegtar ndërmjet shtegtarëve, për të kundruar misterin e fytyrës së Krishtit. Kanë kaluar dy vjet nga 2 qershori 2008 kur, në audiencën me 7 mijë besimtarë të dioqezës së Torinos, të shoqëruar nga bariu i tyre, kardinali Severino Poleto, Benedikti XVI dha njoftimin për ekspozimin e Sindonës:
“Në këtë kontekst, kam kënaqësinë t’i përgjigjem pritjes suaj të madhe e të pranoj dëshirën e Kryeipeshkvit tuaj, duke lejuar që në pranverën e 2010-tës të bëhet një ekspozim tjetër i Sindonës. Në se Zoti do të më japë jetë e shëndet, shpresoj të vij edhe unë – tha Papa dhe në vijim theksoi: - Do të jetë një rast shumë i përshtatshëm – jam i sigurtë – për të kundruar këtë Fytyrë misterioze, që heshturazi i flet zemrës së njerëzve, duke i ftuar të njohin Fytyrën e Hyjit i cili ‘e deshi aq shumë botën, sa të jepte Birin e tij të vetëm, që kushdo beson në të, të mos vdesë, por të ketë jetën e pasosur”.
Fytyra e Zotit është caku i atij, që ecën me besnikëri në udhën e dashurisë. Kush më ka parë mua, ka parë Atin – pohon Krishti. Prandaj në se duam të shohim Hyjin – na kujton Papa - duhet të pranojmë Krishtin e të formohemi nga shpirti i tij:
“Uroj që ky akt nderimi t’i ndihmojë të gjithë për të kërkuar fytyrën e Hyjit, të cilën e kërkuan me aq zjarr Apostujt, ashtu si e kërkojmë edhe ne” (Mbretëresha Qiellore – 11 prill 2010).
Kërkimi i fytyrës së Krishtit ishte zemra e një shtegtimi tjetër baritor të Benediktit XVI, atij në Shenjtëroren abruceze të Manopelos, në fillim të papnisë së tij, më 1 shtator të vitit 2006:
“Së bashku përpiqemi ta njohim gjithnjë më mirë fytyrën e Zotit e nga fytyra e Zotit marrim atë forcë dashurie e paqeje, që na tregon edhe rrugën e jetës sonë”.
Duke kundruar ikonën e Fytyrës së Shenjtë, që ruhet në Manopelo - nënvizoi Papa - kuptojmë se për të njohur fytyrën e Zotit në atë të vëllezërve, është e nevojshme të kemi duar të pafajshme e zemër të pastër:
“Fytyrën tënde, o Zot, kërkoj: të gjithë të krishterët duhet ta kërkojnë me etje fytyrën e Jezusit; jemi ne, breznia, që kërkon sot fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit të Jakobit. Në se ngulmojmë në kërkimin e fytyrës së Zotit, në fund të shtegtimit tonë tokësor do të jetë Ai, Jezusi, galdimi ynë i amshuar, shpërblimi e lavdia jonë, përgjithmonë e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.