2010-04-26 17:44:40

Prelatët e Sierra Leones, Gambias e Liberisë, në vizitë “ad Limina”.


(26.04.2010 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë, ipeshkvin e Banjulit, në Gambia, imzot Robert Patrik Elison si dhe ipeshkvin-ndihmës të Monrovisë, në Liberi, imzot Levis Zeigler. Papa u takua edhe me kryeipeshkvin e Friitaunit, në Sierra Leone, imzot Eduard Tamba Çarls dhe ipeshkvin e Makenit, imzot Xhorxh Biguci, në vizitë ‘ad Limina’ . Ipeshkvijtë e njoftuan Papën për situatën në vendet, ku kryejnë misionin, si bari të Kishës katolike.
Duhet të kujtojmë, së pari, se prania e të krishterëve në këto vende, është e ndryshme. Në Liberi, e krishterë është 70% e popullsisë. Ndërsa në Gambia, shumica e popullsisë është myslimane. Edhe në Sierra Leone myslimanët përbëjnë shumicën, por me një përqindje më të ulët. Ndonëse të krishterët janë pakicë, kontributi i tyre në dy shtetet e fundit afrikane, është shumë domethënës, siç shpjegon imzot Xhorxh Biguci, ish-kryetar i Konferencës territoriale të ipeshkvijve katolikë të Gambias e të Sierra Leones:
Kisha është e pranishme në të gjithë territorin kombëtar, si në Gambia, ashtu edhe në Sierra Leone, përmes shkollave, veprave shoqërore, punës së Karitaseve dioqezane e projekteve të zhvillimit. Prandaj mund të themi se është prani e respektuar e shumë më e madhe, sesa do ta kërkonte numri i të krishterëve”.
Duhet nënvizuar edhe se në Sierra Leone e në Gambia shtohet vazhdimisht numri i thirrjeve për rrugën meshtarake e bëhet gjithnjë më i çmuar shërbimi i laikëve në veprimtaritë për të ndihmuar të varfërit. Në Sierra Leone, Kisha po bën hapa shumë pozitive përpara në procesin e rehabilitimit të ish-luftëtarëve, posaçërisht të fëmijëve-ushtarë, që morën pjesë, pak kohë më parë, në tragjedinë e luftës civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.