Benedikti XVI kërkon lutje për thirrjet meshtarake dhe i fton meshtarët të gjunjëzohen
para Tabernakullit.
(26.04.2010 RV)Dje, gjatë kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI
i porositi besimtarët të luten, që Zoti të thërrasë sa më shumë të rinj në rrugën
e meshtarisë. Ndërsa meshtarët i ftoi të gjunjëzohen me kënaqësi para Tabernakullit,
domethënë, para Krishtit. I drejtoi, më pas, një përshëndetje të posaçme shoqatës
Meter, në vijë të parë të luftës kundër shpërdorimeve mbi të miturit, në internet.
I falënderoi e i inkurajoi të gjithë ata, që impenjohen në fushën e edukimit e të
parandalimit të shpërdorimeve mbi fëmijët.
Dje, e Diela kushtuar ‘Bariut të
Mirë’, në të cilën kremtohej edhe Dita botërore e lutjes për thirrjet meshtarake,
Papa kujtoi në mënyrë të posaçme Shën Monikën, e cila duke iu lutur Zotit me përvujtëri
e ngulm, pati hirin ta shikonte të birin, Agostinin, duke u bërë i krishterë. Një
shembull, ky, i cili tregon se forma e parë e dëshmisë, që nxit thirrjen, është pikërisht
lutja: “I ftoj, prandaj, prindërit, të luten, që bijtë e tyre t’ia
hapin zemrën Bariut të Mirë, t’ia dëgjojnë zërin, e çdo filiz i thirrjes, të bëhet
pemë plot shëndet, e ngarkuar me fryte, për të mirën e Kishës e të mbarë njerëzimit”. Por,
si mund ta dëgjojmë zërin e Zotit? Në predikimin e Apostujve e të pasardhësve të
tyre – kujtoi Papa - sepse në fjalët e tyre jehon zëri i Krishtit, që na bën thirrje
të bashkohemi me Hyjin, duke jetuar një jetë të plotë e të vërtetë: “Vetëm
Bariu i Mirë e ruan me dashuri të pafundme grigjën, e mbron nga çdo e keqe, e vetëm
në Të besimtarët mund ta mbështesin gjithë shpresën”. Më pas një thirrje
e posaçme drejtuar meshtarëve që, të nxitur nga Viti Meshtarak, të impenjohen për
një dëshmi më të fuqishme e më të thellë ungjillore në botën e sotme, e… “të
kujtojnë se meshtari vijon veprën e Shëlbimit mbi tokë; të ndalohen me dëshirë para
Tabernakullit; ta përmbushin plotësisht thirrjen e misionin e tyre, përmes ushtrimit
të asketizmit të rreptë; të jenë gati për dëgjim e pendesë; ta formojnë krishterisht
popullin, që u është besuar; të kultivojnë me kujdes vëllazërinë meshtarake”. Më
pas Ati i Shenjtë i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata, që e mbështesin shërbimin
e pasardhësit të Shën Pjetrit.
Si kremtoi lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore,
Benedikti XVI kujtoi se dje u shpallën të Lum, në Romë e në Barcelonë, dy meshtarë:
Anxhelo Paoli, karmelitan, që jetoi ndërmjet viteve 600 e 700, u njoh si
apostull i bamirësisë në Qytetin e amshuar e u bë shembull i shkëlqyer, posaçërisht
– nënvizoi Papa – për të gjithë ata, që u përkasin Instituteve të Jetës së Përkushtuar;
dhe Hosè Tus i Soler, që jetoi në shekullin XIX, kur themeloi Kapuçinet
e Nënës së Bariut të Mirë: njeri që kishte aftësinë t’i duronte e t’i kuptonte mungesat
e të tjerëve, duke u bërë pikë referimi për të gjithë, posaçërisht për meshtarët,
të cilët, me shembullin e tij, i mësonte të ruanin mbi gjithçka, besnikërinë ndaj
Krishtit.
Në përshëndetjet përfundimtare drejtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur
në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi posaçërisht Shoqatën ‘Meter’ e cila, që prej
14 vjetësh, kremton “Ditën kushtuar fëmijëve, viktima të dhunës, të shfrytëzimit e
të indiferencës”: “Me këtë rast dëshiroj, sidomos, t’i falënderoj
e t’i ikurajoj të gjithë ata, të cilët i kushtohen veprimtarisë për parandalimin dhe
edukimin, posaçërisht prindërit, mësuesit dhe shumë meshtarë, murgesha, katekistë
e animatorë, që punojnë me fëmijët në famulli, në shkolla e në shoqata”.