2010-04-24 16:13:08

Pesëvjetori i fillimit të papnisë së Benediktit XVI: koment i atë Lombardit.


Vazhdojmë bisedën me zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi...RealAudioMP3

Pyetje: - Dje ishte pesëvjetori i fillimit të papnisë së Benediktit XVI; një reflektim nga ana juaj, për vitin e gjashtë, që nis pikërisht sot?

Përgjigje: - Unë, kur duhet bërë një bilanc sado i vogël, kur duhet hedhur një shikim përmbledhës, kthehem gjithnjë, natyrisht, tek çasti fillestar i kësaj papnie. Kur them çasti fillestar, nuk kam aq parasysh dukjen në Lozhë, sa fjalimin që mbajti më pas Papa, në Kapelën Sikstine, një ditë pas zgjedhjes. Një fjalim vërtetë programatik, në të cilin viheshin në dukje pikat kryesore, që duhet të kishte parasysh në shërbimin, të cilin Zoti po ia besonte: përparësia e marrëdhënies së njeriut e Zotit, përmasa e mbinatyrshme dhe shpirtërore e njeriut dhe një Zot, që na dëftohet nga Jezu Krishti e, prandaj, në fytyrën e Krishtit e njohim këtë Zot; përparësia e dialogut me të gjithë besimtarët në Krishtin, që kjo dëshmi të jetë e gjallë, e besueshme për botën e sotme, ekumenizmi, pra. Por edhe gatishmëria për të dialoguar me të gjithë njerëzit, që e kërkojnë me sinqeritet fytyrën e Zotit e dëshirojnë ta njohin. Pra, një mesazh i aftë për t’iu përgjigjur të gjitha pritjeve më të thella të kulturës e të botës së sotme, shpesh tejet shqetësuese për mbarë njerëzimin. Vërtetë mund të themi se është një kontribut themelor. Njerëzit e vëmendshëm, të ndershëm, që janë sinqerisht në kërkim, shikojnë në Benediktin XVI një bashkëbisedues dhe një prijës të rëndësishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.