2010-04-23 18:16:19

Patriku Tval: paqja në Tokën Shenjte do të jetë për të gjithë, ose për askënd.


(23.04.2010 RV)Paqja në Tokën Shenjte është e vështirë, por e arritshme, prandaj nuk duhet humbur shpresa: këtë, thënë me dy fjalë, theksoi dje në Romë patriku i Jeruzalemit, Fuad Tval, i cili sot mori pjesë, në Vatikan, në takimin e tretë përgatitor për Sinodin e ipeshkvijve të Lindjes së Mesme, që do të mbahet më 10 deri më 24 tetor, me temë: “Kisha katolike në Lindjen e Mesme: bashkim e dëshmi”.
Patriku i Jeruzalemit nënvizoi me dhimbje situatën e konfliktit të përhershëm në Tokën Shenjte. Kujtoi edhe rolin e veçantë që luajnë të krishterët. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e radios sonë:RealAudioMP3
“Një brezni e tërë palestinezësh e izraelitësh u lind e u rrit me mendësinë e konfliktit e të luftës. U bë gjithnjë më e vështirë të përfytyrohet bashkëjetesa në këto vise. Është më lehtë t’i demonizosh të tjerët, e më e vështirë, t’i falësh. Ndërsa ne, si të krishterë, flasim pikërisht me këtë gjuhë: të falësh e të nisesh nga zeroja. Por të tjerët as që duan t’ia kujtosh fjalën falje. E ndonëse për këtë arsye konsiderohemi si budallenj, gjuha jonë nuk do të ndryshojë. Ne do ta përsërisim fjalën falje: kështu pra, ne jemi ‘leshko’ e do të vijomë të jemi ‘të marrë’, sepse do të vijomë të falim!".
Por, pavarësisht nga një situatë e tillë, Patriku i Jeruzalemit shpreh një bindje:
“Një bindje e brendshme... se një ditë do të vijë paqja për të gjithë, për hebrenjtë, myslimanët e të krishterët, sepse besoj plotësisht se askush nuk do të mund ta gëzojë i vetëm këtë paqe, kurrë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.