2010-04-23 17:35:01

Papa pranon dorëheqjen e kryeipeshkvit të Bryzh, për shkak të shpërdorimit të një të mituri.


(23.04.2010 RV)Benedikti XVI pranoi dorëheqjen nga qeverisja baritore e dioqezës belge të Bruges, paraqitur nga imzot Rozhe Zhozef Vangeluve, për shkak të shpërdorimit seksual mbi një të mitur. Për këtë ngjarje, ndodhur në të kaluarën, sot paradite Konferenca ipeshkvnore belge mbajti një konferencë shtypi, kushtuar pikërisht dorëheqjes së prelatit.

“Jam thellësisht i hidhëruar për atë që kam bërë e i kërkoj sinqerisht të falur viktimës, familjes, bashkësisë katolike e mbarë shoqërisë”: këtë pohoi imzot Vangeluve, duke folur për dorëheqjen e tij si ipeshkëv i Bryzh. Prelati, përmes një note, deklaroi se, kur ishte ende meshtar i thjeshtë si dhe në fillimet e ipeshkvnisë, shpërdoroi seksualisht një të ri. Viktima – shkruan - vuan akoma, për shkak të këtij shpërdorimi. Prelati pohoi se vitet e fundit e ka pranuar disa herë gabimin, duke i kërkuar ndjesë viktimës e familjes së tij.Nga ana e tij, kryipeshkvi i Malin-Bruksel, imzot André-Zhozef Lèonard, iu drejtua kryesisht viktimës e familjes. Për viktimën – tha Primati i Belgjikës – duhet kujtuar kalvari i pafundmë, që sigurisht vijon ende. Dorëheqja e imzot Vangeluve- pohoi - që përkon me vullnetin për transparencë të Kishës belge, ishte e nevojshme, për shkak të respektit ndaj viktimës, familjes së tij e, sidomos, ndaj së vërtetës. Në këtë fushë - theksoi - Kisha përsërit se nuk ka më kurrfarë dredhimi e se dëshiron ta ndërrojë faqen e shkruar në një periudhë jo të largët, në të cilën parapëlqehej më shumë heshtja e fshehja e shpërdorimeve të tilla. Kjo ngjarje – vijoi - natyrisht është tejet e dhimbshme për mbarë bashkësinë katolike belge. Gjithsesi, kryeipeshkvi Léonard uroi që ipeshkvijtë dhe meshtarët e vendit të mos shikohen shtrembër si të tillë, duke pasur mirë parasysh se shumica e tyre jeton në përkim të plotë me thirrjen meshtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.