2010-04-23 17:35:16

Fushatë e Karitas Internacionalis: jo emigranteve shtëpijakeve-skllave.


(23.04.2010 RV)Karitas Internacionalis ka nisur, këto ditë, një fushatë, për të sensibilizuar qeveritë e mbarë botës, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, që punojnë në shtëpi të huaja si kamerierë, kujdestarë të të moshuarve ose ndihmës për kryerjen e punëve shtëpijake. Shumica janë gra – pohon Karitasi – pa asistencë ligjore, që paguhen shumë pak e nganjëherë shfrytëzohen si gjysëm-skllave. Një fushatë e tillë duhet të sensibilizojë, e jo pak, edhe qeverinë shqiptare, me që dihet mirë se një pjesë e grave shqiptare, që jetojnë në vende të ndryshme perëndimore, bëjnë kryesisht punë të tilla, duke i pësuar të gjitha pasojat e kujtuara më lart. Pa llogaritur që punë të këtilla i kryejnë, pasi kanë mbi shpinë vite të tëra veprimtarie në atdhe e, një pjesë e mirë, edhe diploma universitare në xhep. Për më tepër, shumë prej tyre lënë pas fëmijët e burrat, për të përmirësuar gjendjen tejet të vështirë ekonomike të familjeve, në se ky mund të quhet përmirësim. Në këto kushte, detyrohen të heshtin, kur katandisen në skllave, për të mos humbur vendin e punës. Në sa shteti, prej nga janë nisur, mendon pak e aspak për këtë ushtri skllavesh, që sjell në vendin-amë gjithë frytet e një djerse të derdhur në kushte tejet të rënda jetese. Pak e aspak duket edhe në shtyp figura e gruas-shtëpijake në shtëpi të huaja. Ftuam, prandaj, të na flasë për këtë problem drejtoren e Politikave të Karitas Internacionalis, Martina Liebsh:RealAudioMP3

Përgjigje: - Do të dëshirohej, mbi të gjitha, që punonjëset shtëpijake të shikoheshin me një sy më pozitiv, edhe pse punojnë në shtëpitë tona, shumë pranë nesh. Prandaj duhen trajtuar me respekt, me dinjitet, si njerëz.

Pyetje: - Ju keni dokumentuar shumë raste tronditëse, që flasin për një trajtim çnjerëzor...
 
Përgjigje: - Për fat të keq, po: e kemi parë këtë në shumë vende. Madje bëmë edhe një studim të vogël, që titullohet: “Vuajtja e padukshme e punëtoreve shtëpijake”. Është fjala për emigrante, që punojnë me marrëveshje private, pa mbrojtjen e ligjit. E kjo sepse gratë, që mbajnë mbi supe shtëpitë e huaja, konsiderohen si të parregullta para këtij ligji. Prandaj, ndërmjet kërkesave tona, zë vendin e parë sigurimi i lejes së qëndrimit. E, kërkojmë që kjo leje qëndrimi të mos lidhet vetëm me një punëdhënës por, në raste shpërdorimesh, të mund të ndryshohet punëdhënësi, gjë që deri tani në shumë vende nuk është siguruar. Kërkesë tjetër e rëndësishme është themelimi i agjensive të njohura e të kontrolluara nga qeveritë, të cilat duhet të sigurojnë lidhjen e bazuar mbi ligj ndërmjet punëdhënësit e të punësuarit, ose së paku, respektimin e standardit në fuqi në atë vend. E, së fundi, ajo që dëshirojmë, është që të ketë një Konventë ndërkombëtare të punës, që të inserojë disa standarde për të mbrojtur këtë kategori punonjësish. Shpresojmë se shumë shtete do ta shikojnë këtë Konventë si të domosdoshme. E dimë se bisedimet duan kohë, ashtu si e dimë mirë edhe se, pastaj, gjithçka do të varet nga ato shtete, që do ta ratifikojnë konventën.

Pyetje: - Në të vërtetë, sot për sot, ka shumë njerëz të katandisur në gjendje skllavi e pak, shumë pak, shtete, të cilat kanë ligje për mbrojtjen e tyre...

Përgjigje: - Po. Në fakt ne, përmes kërkimit shkencor të kufizuar, që bëmë, arritëm të sqarojmë se vetëm 19 shtete kanë një legjislacion të tillë në fuqi; të tjerët kanë ligje të pjesshme, ndërsa shumica, për shembull, i përjashtojnë punonjësit shtëpijakë nga e ashtuquajtura ‘social welfare”, apo nga ndihma sociale, gjë që do të thotë se nuk kanë leje lindjeje, nuk kanë të drejtë pensioni, ndërsa të drejtat që u njihen, janë nën standardet, në fuqi për kategori të tjera punonjësish.







All the contents on this site are copyrighted ©.