2010-04-22 16:05:48

Shqipëria merr presidencën e radhës në rajon për migrimin


(22.4.2010 RV)Duke filluar nga dita e sotme, Shqipëria do të kryesojë për vitin në vazhdim Iniciativën Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët, "MARRI".
"Objektivi kryesor i presidencës shqiptare do të jetë avancimi në rrugën e asaj që quhet Shengen Ballkanik, pra lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit tonë, vetëm duke disponuar një dokument identifikimi në të gjitha vendet e rajonit", deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë forumit rajonal të "MARRI-t", që u zhvillua në qytetin Budva të Malit të Zi.
Përmes një njoftimi për shtyp të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, bëhet e ditur se gjatë këtij forumi, ministri shqiptar Basha, ndërsa vlerësoi arritjet e shënuara nga të gjitha vendet e rajonit gjatë presidencës së mëparshme malazeze, u shpreh se "kjo iniciativë ka provuar të jetë jashtëzakonisht e suksesshme në bashkërendimin dhe harmonizimin e politikave të azilit, migracionit dhe trajtimit të refugjatëve në vendet e rajonit tonë".
Sipas ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, kjo ka shërbyer për të avancuar vendet tona në rrugën e përmbushjes së kritereve për arritjen e liberalizimit të vizave.
Duke iu referuar faktit se të gjitha vendet e rajonit kanë konkretizuar standarte të larta në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe në lëshimin e dokumentave të sigurta të identitetit, Basha deklaroi se fokusi i përpjekjeve të presidencës shqiptare të "MARRI-t", do të jetë lëvizja e lirë e qytetarëve në të gjithë vendet e rajonit dhe për këtë qëllim do të hartohet një plan pune që do t'i paraqitet Komitetit të MARRI-t me qendër në Shkup.
Në forumin rajonal të zhvilluar në Budva, ministrat e Brendshëm nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, në të cilin shprehet gatishmëria për ofrimin e shërbimit konsullor në postet konsullore të secilit prej vendeve të rajonit, qytetarëve të vendeve të tjera në mungesë të posteve konsullore apo diplomatike në vendet përkatëse. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.