2010-04-22 16:22:52

Shqipëria e Italia bashkëpunim kundër trafikut të drogës e kriminalitetit të organizuar


(22.4.2010 RV)Bashkëpunimi ndërmjet Italisë e Shqipërisë në luftimin e trafikut të drogës e kriminalitetit të organizuar është shumë i mirë e është duke dhënë rezultate të rëndësishme. Kështu deklaroi prokurori italian i Leçes, Cataldo Motta pas takimit që pati në Tiranë me kreun e Policisë së Shtetit të Shqipërisë Hysni Burgaj.
Prokurori i Republikës Italiane në Leçe (Itali), Dr. Cataldo Motta, vlerësoi sot në Tiranë miratimin e ligjit të ri Antimafia, si dhe krijimin e sektorit për sekuestrimin e pasurive të krimit, si një hap i rëndësishëm në hetimin e çështjeve penale.
Në takimin e zhvilluar paraditen e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, Prokurori Motta vuri në dukje jo vetëm nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit, por dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi si në aspektin policor, ashtu dhe në aspektin gjyqësor.
"Është vështirë që mes dy vendeve të arrihet një bashkëpunim i tillë në nivele siç është mes dy vendeve tona. Vlera më e mirë e këtij bashkëpunimi qëndron në faktin se është një bashkëpunim si në nivelin policor, ashtu dhe në atë gjyqësor", u shpreh Prokurori italian.
Sipas z. Motta, ky bashkëpunim bën të mundur që ndërhyrja ndaj krimit të jetë e dyanshme si në fushën e parandalimit e goditjes për sa i takon aspektit policor, ashtu dhe në fushën e drejtësisë për sa i takon aspektit gjyqësor.
Nga ana e tij, kreu i Policisë Shqiptare, Hysni Burgaj, vlerësoi të suksesshme operacionet e përbashkëta mes policive të dy vendeve për goditjen e krimit, që sipas tij, vetëm muajt e fundit janë arritur rezultate shumë të mira, si në sasitë e drogës së sekuestruar, ashtu dhe në arrestimin e trafikantëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqiperise falenderoi Misionin Interforze dhe Guardia di Finanza në Durrës për bashkëpunimin e shkëmbimin shumë të shpejtë të informacionit, që është një ndër elementët bazë për arritjen e këtyre rezultateve.
Duke ju referuar rezultateve në rritje të goditjes së trafikut të drogës, Burgaj theksoi se një rol të rëndësishëm po luan dhe përmirësimi i logjistikës, pasi deti shqiptar tashmë kontrollohet me teknologjinë më të përparuar.
Prokurori i Republikës Italiane në Leçee (Itali), Dr. Cataldo Motta, i shoqëruar nga Kolonel Patrizio Vezzoli, Komandant Provincial i Guardia di Finanza Lecce, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, do të zhvillojnë një vizitë 2 ditore në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.