2010-04-22 15:42:25

Papa ambasadorit të ri të Maqedonisë: merrni nga trashëgimia e krishterë për të sjellë në Evropë vlerat e drejtësisë e të dialogut


(22.04.2010 RV)Sot paradite, paraqiti letrat kredenciale në Vatikan, ambasadori i ri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Gjoko Gjorgjevski, i cili u prit në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Maqedonia aspiron të bëjë pjesë në Bashkimin Evropian, theksoi Ati i Shenjtë, e hapat e bëra në këtë drejtim janë të mëdha, por për të ndërtuar të ardhmen duhet të mos harrohet historia, kultura e shpirti i popullit, në mënyrë që risitë të mos vuajnë nga plagë shoqërore të vjetra, të cilat s’janë mbyllur kurrë. Gjithashtu, vazhdoi Papa, interesat globale nuk duhet të lenë mënjanë ato lokale e zëri i relativizmit nuk duhet ta verë në gjumë ndërgjegjen. Benedikti XVI i kujtoi ambasadorit maqedonas se vendi ruan shenja të dukshme të vlerave njerëzore e të krishtera:
“Duke marrë nga kjo trashëgimi, qytetarët e vendit tuaj do të vazhdojnë të ndërtojnë edhe në të ardhmen historinë e tyre e, të mbështetur nga identiteti i tyre shpirtëror, mund të sjellin në gjirin e popujve evropianë kontributin e përvojës së tyre. Për këtë, uroj me gjithë zemër të realizohen aspiratat dhe përpjekjet në rritje të këtij vendi për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, në kushtet e pranimit të detyrave e të të drejtave e të respektimit të anasjelltë të instancave kolektive e të vlerave tradicionale të çdo populli”.
Në Maqedoni, vazhdoi Papa, njerëzit e kuptojnë se janë vëllezër, bij të të njëjtit Zot e qytetarë të të njëjtit vend. Gjithsesi, dialogu e paqja nuk mund të varen vetëm nga strategji politike, apo planifikime njerëzore, pasi paqja është dhuratë e Zotit për njerëzit vullnetmirë:
“Drejtësia dhe falja përfaqësojnë shtyllat bazë të kësaj paqeje. Drejtësia siguron respektin e plotë të të drejtave dhe të detyrave, ndërsa falja shëron e rindërton themelet e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, që akoma ndjejnë pasojat e ndeshjes ndërmjet ideologjive të së kaluarës së afërm”.
E duke kaluar nga historia në gjendjen aktuale më globale, Benedikti XVI theksoi:
“Një zhvillim shoqëror dhe ekonomik i qëndrueshëm nuk mund të mos marrë parasysh kërkesat kulturore, shoqërore e shpirtërore të njerëzve, si edhe të vlerësojë traditat e burimet popullore më fisnike. E kjo, me vetëdijen se fenomeni në rritje i globalizimit, i cili, nga njëra anë, sjell nivelimin e ndryshimeve shoqërore dhe ekonomike, nga ana tjetër, mund ta rëndojë çekuilibrin ndërmjet atyre që përfitojnë nga mundësitë gjithnjë e më të mëdha për t’u pasuruar dhe atyre që lihen jashtë progresit”.
Në fillim të fjalës së tij, Papa vuri në dukje marrëdhëniet e përzemërta që ekzistojnë ndërmjet vendit ballkanik dhe Selisë së Shenjtë, gjë që dëshmohet nga ndërtimi i kishave në të gjithë vendin, megjithëse katolikët janë pakicë. Duke u bazuar në këtë trashëgimi të përbashkët shpirtërore dhe kulturore, Benedikti XVI përfundoi me urimin që Maqedonia të mos shkojë pas relativizmit moral dhe mosinteresimit për fenë, që mbretërojnë sot, por të dijë të zgjedhë me mençuri horizontet e reja të qytetërimit dhe të humanizmit të vërtetë:
“Për ta bërë këtë, duhet të mbani gjallë e fort, në nivel personal e komunitar, ato parime, të cilat qëndrojnë edhe në bazën e qytetërimit të këtij populli: rëndësia e familjes, mbrojtja e jetës njerëzore, nxitja e përvojës fetare, sidomos tek të rinjtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.