2010-04-21 18:24:08

Trafiku ajror mbi Evropë drejt normalizimit


(21.04.2010 RV)Trafiku ajror mbi qiejtë e Evropës po shkon gradualisht drejt normalizimit, gjashtë ditë pas krizës së shkaktuar nga shpërthimi i vullkanit në Islandë. Sot, kanë fluturuar 75% e avionëve. Kufizimet e fundit kanë të bëjnë me jugun e Suedisë dhe të Finlandës.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian denoncoi po sot mungesën e respektimit të të drejtave të udhëtarëve nga disa kompani ajrore. Helen Kearns, zëdhënëse e komisarit për Transportin, Siim Kalas, deklaroi se kompanitë duhet t’u kthejnë udhëtarëve të mbetur në tokë paratë e biletës. Kjo është një e drejtë e padiskutueshme, sqaroi ajo. Brenda një kohe të shkurtër, Brukseli do të japë fonde për kompanitë ajrore, që kanë pësuar dëme financiare për shkak të resë së krijuar mbi Evropë nga vullkani, por këto dëmshpërblime do të varen nga ndikimi ekonomik i bllokimit të trafikut ajror.







All the contents on this site are copyrighted ©.