2010-04-21 18:28:59

Sot kisha katolike përkujtoi Shën Anselmin.


(21.04.2010 RV)Shenjti ndërroi jetë më 21 prill 1109 në Kanterburi, pas 16 vjetësh ipeshkvnie dramatike.
I lindur në Aosta, 76 vjet para kësaj date, në gjirin e një familjeje fisnike, ai së pari u edukua nga benediktinët. Vendosi të bëhej murg. Por i jati e kundërshtoi me të gjitha forcat, derisa Anselmi u sëmur rëndë. Si rifitoi shëndetin, u duk se do të ecte në atë rrugë, që dëshironte i jati: nisi të bënte jetë mondane dhe të shijonte kënaqësitë që i krijonte rangu. Por flaka e vjetër në shpirtin e tij nuk ishte shuar. E ishte ajo flakë që e shtyu të nisej drejt Francës e të vendosej në abacinë normane të le Bek, ku jepte mësim i famshmi Lanfranco i Pavisë. Këtu, më parë si nxënës, pastaj si murg, epror e abat, jetoi 33 vjet me radhë, deri në vitin 1093, kur u emërua kryeipeshkëv i Kanterburit. U bë i njohur si predikatar e reformues i jetës murgare e, mbi të gjitha, si teolog. Lutja që i pëlqente më shumë, ishte: "Bëj o Zot, të lutem, ta ndjej me zemër atë, që e kuptoj me mendje".
Veprat e tij më e njohur është ‘Monologion’, ose mënyra për të medituar për arsyet e fesë.
Nuk do t'i mungonin edhe kundërshtarët e fuqishëm, mbretërit Guljelmi Kuqalash dhe Enriku I, të cilët e internuan dy herë rresht. Por shenjti, me mirësinë e tij, ia doli t'i shuante mëritë, t'i bënte kundërshtarët të ulnin armët e ta shpëtonte Kishën nga rreziku i përçarjes.
Do të ishte pasardhësi i tij, shën Toma Beket, ai që do të kërkonte kanonizimin e Kryeipeshkvit, e një mbret, Jaku III, që do t'i paraqiste kërkesën Papës për ta shpallur Dijetar të Kishës!
Këtë titull do t'ia njihte Papa Klementi XI më 1720.







All the contents on this site are copyrighted ©.