2010-04-21 19:12:57

Papa bekon shtatoren e Zojës së Hiroshimës, shpëtuar nga bomba atomike.


(21.04.2010 RV)I ka mbetur vetëm fytyra, e kurorëzuar nga flokët, por pa sy, Zojës së Hiroshimës, që erdhi në Vatikan, nga një katedrale e qytetit japonez. E shpëtuar mrekullisht nga bombardimi atomik, u bekua sot paradite nga Papa Benedikti XVI, në përfundim të audiencës së përgjithshme.
Shtatorja, ose më mirë të themi, ç’mbetet prej saj, ditët e ardhshme do të niset për në Guernika të Spanjës, ku ruhet një Zojë tjetër e ngjashme, e shpëtuar nga bombardimet e rrepta të Luftës civile spanjolle.
Të dyja shtatoret, të shoqëruara nga ipeshkvijtë e dy qyteteve, së shpejti do të vijojnë shtegtimin e tyre drejt selisë së OKB-së, si mbartëse të një mesazhi të madh, shkruar nga ipeshkvijtë e Hiroshimës e të Nagasakit, viktima të tmerrit atomik. Zoja, duke folur simbolikisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, do t’i bëjë thirrje mbarë botës të heqë dorë nga përdorimi i armëve bërthamore, duke rinovuar Traktatin për mospërhapjen e tyre, pavarësisht në se e kanë apo jo bombën atomike, që ia verboi sytë shtatores së Saj. E ky duhet të jetë hapi i parë, për t’i zhdukur më pas plotësisht këto armë e për të ndërtuar një botë plot dashuri e besim, bashkëpunim e paqe!







All the contents on this site are copyrighted ©.