2010-04-20 14:37:34

Shtegtimi i Papës në Maltë një ngjarje e jashtëzakonshme feje e shprese


(19.04.2010 RV)Për një bilanc të shtegtimit të Papës në Maltë, dëgjuam drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe drejtorin tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardin.

Përgjigje: - Sigurisht është një bilanc jashtëzakonisht pozitiv, do të thosha, shumë më i arritur, nga ai që prisnin organizatorët maltezë. E kjo, sepse ngrohtësia e përkimit, numri i madh i njerëzve, që kishin dalë në rrugë vetvetiu, të gëzuar, me rend, korrektë në manifestimet e entuziazmit të tyre, ishte diçka që i preku shumë thellë të gjithë. Besoj se mund të them qetësisht se Papën e panë më se 200 mijë njerëz në këto dy ditë. Prandaj mund të flitet për pjesëmarrje korale. Pra, atmosferë jashtëzakonisht pozitive, jashtëzakonisht e qetë. Do të thosha se kjo u arrit edhe për shkak të rrënjëve të krishtera të këtij populli, për shkak të traditës së tij të madhe edhe katolike, që u shpreh vetvetiu. Ndonëse – para vizitës - pati disa diskutime. Kështu njerëzit, e edhe shtypi, nuk e kishin të qartë si do të ishte mikpritja. Në të vërtetë qe një mikpritje korale, e përgjithshme, absolutisht pozitive e plot gatishmëri për ta pranuar mesazhin e Papës.

Pyetje: - E cili ishte ky mesazh i Papës?
 
Përgjigje: - Papa i ftoi ta ripranojnë madhështinë e dhuratës, që morën nga Shën Pali e të vijojnë të punojnë, që ajo të japë rishtas fryte e të mbetet gjithnjë e gjallë. Pra, besnikëri plot gëzim ndaj vlerave të krishtera, për të mirën e shoqërisë malteze e edhe për kontributin që Malta mund t’i japë bashkësisë evropiane dhe shoqërisë në botën e sotme, me dëshmimin e vlerave të familjes, të jetës, të impenjimit shoqëror sipas parimeve të solidaritetit e të dashurisë së krishterë, që propozon Kisha. Malta, e vendosur në zemër të Mesdheut - udhëkryq takimi ndërmjet kulturave e popujve – ka një mision të madh, atë të takimit, të dialogut, të fekondimit të elementeve, që vijnë nga kultura e tradita të ndryshme e edhe atë të traditës së madhe të mikpritjes. Prej këndej, tema e emigracionit dhe e mikpritjes së emigrantëve, që kapërcejnë Mesdheun dhe e dialogut me popujt e brigjeve të këtij deti të madh, e jetuar me perspektivën pozitive të ardhmërisë e me besnikëri ndaj së kaluarës.

Pyetje: - Papa u takua me disa nga viktimat e shpërdorimeve. Si u zhvillua ky takim?
 
Përgjigje: - Takimi ishte tejet i thjeshtë, e do të thosha se është mesazh në vetë mënyrën sesi u mbajt: një takim i matur, mund të themi, larg poteres së mediave e publicitetit: ishte paramenduar të fillonte me një çast lutjeje, për të vijuar, më pas, me dëgjimin e thellë nga ana e Papës, të fjalëve që kishin për të thënë njerëzit e ardhur në takim. E këta njerëz kishin ardhur për të zbrazur zemrën para Papës, si bari universal e si atë. Përgjigjet, mund të themi, ishin shumë të thjeshta, shumë të vetvetishme. Papa mori pjesë thellësisht në dhimbjen e tyre, në lutjen e tyre. Papa e inkurajoi secilin të shpresojë. Rëndësi pati që secili mundi të takohet me Papën e pati mundësinë të shprehet e të dëgjojë edhe fjalën e Papës, sepse ishte fjala për një takim – e edhe për të shëruar plagët personale, të thella, e prandaj mund të themi se udha nuk ishte ajo e mesazheve të thëna me zë të lartë, por e dëgjimit dhe e dialogut, që del nga thellësia e zemrave e hyn në zemër. Papa mundi ta bëjë këtë dhe përsëri e përfundoi takimin me një lutje të përbashkët e me një bekim. Më duket se kuptohet që dëshmitë e dhëna nga vetë pjesëmarrësit, të cilët deshën të flasin lirisht, qenë jashtëzakonisht pozitive. Unë, që isha i pranishëm, shikoja një klimë shumë, shumë prekëse, shumë të thellë, por edhe shumë të qetë e plot me shpresë, me paqëtim, me pajtim.

Pyetje: - Dje ishte pesëvjetori i zgjedhjes së Benediktit XVI; një reflektim nga ana juaj, për vitin e gjashtë, që nis pikërisht sot?
 Përgjigje: - Unë, kur duhet bërë një bilanc sado i vogël, kur duhet hedhur një shikim përmbledhës, kthehem gjithnjë, natyrisht, tek çasti fillestar i kësaj papnie. Kur them çasti fillestar, nuk kam aq parasysh dukjen në Lozhë, sa fjalimin që mbajti më pas Papa, në Kapelën Sikstine, një ditë pas zgjedhjes. Një fjalim vërtetë programatik, në të cilin viheshin në dukje pikat kryesore, që duhet të kishte parasysh në shërbimin, të cilin Zoti po ia besonte: përparësia e marrëdhënies së njeriut e Zotit, përmasa e mbinatyrshme dhe shpirtërore e njeriut dhe një Zot, që na dëftohet nga Jezu Krishti e, prandaj, në fytyrën e Krishtit e njohim këtë Zot; përparësia e dialogut me të gjithë besimtarët në Krishtin, që kjo dëshmi të jetë e gjallë, e besueshme për botën e sotme, ekumenizmi, pra. Por edhe gatishmëria për të dialoguar me të gjithë njerëzit, që e kërkojnë me sinqeritet fytyrën e Zotit e dëshirojnë ta njohin. Pra, një mesazh i aftë për t’iu përgjigjur të gjitha pritjeve më të thella të kulturës e të botës së sotme, shpesh tejet shqetësuese për mbarë njerëzimin. Vërtetë mund të themi se është një kontribut themelor. Njerëzit e vëmendshëm, të ndershëm, që janë sinqerisht në kërkim, shikojnë në Benediktin XVI një bashkëbisedues dhe një prijës të rëndësishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.