2010-04-20 15:26:42

Imzot Marketo: kthimi mbrapsht i personave, që ikin nga persekutimet e konfliktet dhunon të drejtat e njeriut


(20.04.2010 RV)Kthimi mbrapsht i personave, që ikin nga persekutimet e konfliktet dhunon të drejtat e njeriut: këtë do të theksojë Sekretari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, imzot Agostino Marketo, në Seminarin e 30-të ndërkombëtar të studimeve historike “Nga Roma në Romën e tretë”, që do të mbahet nesër në kryeqytetin italian. Duke kujtuar normat e ligjet mbi temën e ndërlikuar të emigracionit, kryeipeshkvi nënvizon se ekziston prirja që vendet evropiane të delokalizojnë kontrollin e kufijve, duke e zhvendosur në vendet jugore të Mesdheut. Aty bëhen kontrolle më të rrepta, por edhe u jepet mundësi emigrantëve të kërkojnë strehim politik. Duket sikur gjithçka është në rregull dhe zhvillohet sipas parimeve të shëndosha mbi të drejtat e njeriut, në të vërtetë – denoncon prelati – shumë nga vendet evropiane njohin si refugjatë, vetëm ata që vijnë në territorin e tyre jo përmes detit, por përmes këtyre vendeve, që natyrisht i kthejnë mbrapsht, duke mos marrë parasysh se në mesin e të kthyerve, ka nga ata që ikin nga persekutimet. Gjithashtu, shpjegon imzot Marketo, nuk sigurohet e drejta e çdo emigranti për t’u mbrojtur e për të pasur një proces të paanshëm, para se të largohet me forcë nga këto vende të bregut afrikan. Evropa, përfundon kryeipeshkvi, duhet të zbatojë të drejtën për të kontrolluar hyrjen e të huajve sipas Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore.







All the contents on this site are copyrighted ©.