Benedikti XVI në funeralin e kard. Shpidlik: njeri i lirë, që e jetoi miqësinë me
Krishtin me gjithë zemër, edhe në situata të vështira.
(20.04.2010 RV)Një jetë e jetuar
sipas urdhërimit të dashurisë: Benedikti XVI e përvijoi kështu rrugën tokësore të
kardinalit Tomash Shpidlik, funerali i të cilit u kremtua sot në Bazilikën e Vatikanit.
Meshën e tha kardinali dekan, Anxhelo Sodano, ndërsa Papa mbajti homelinë dhe kryesoi
ritet mortore.
“Gjatë gjithë jetës kam kërkuar fytyrën e Jezusit, e tani
jam i lumtur dhe i qetë, sepse po shkoj ta shoh”: Benedikti XVI kujtoi fjalët e fundit
të kardinalit Shpidlik, duke shpjeguar se përqafimi i Krishtit në çastin e largimit
nga kjo botë është i sigurtë, i fortë e i ëmbël e na çon drejt jetës së amshuar: “Mendoj
se njerëzit e mëdhenj të fesë jetojnë të zhytur në këtë hir, u është dhënë si dhuratë
perceptimi me forcë të veçantë i kësaj së vërtete, e kështu mund të kalojnë edhe sprova
të rënda, siç i ka kaluar kardinali Tomash Shpidlik, pa e humbur besimin e madje,
duke ruajtur një ndjenjë të gjallë humorizmi, që është pa dyshim shenjë inteligjence,
por edhe lirie të brendshme”. Ati i Shenjtë theksoi ngjashmërinë ndërmjet prelatit
çek, që u nda nga kjo jetë të premten e kaluar, dhe Papës Gjon Pali II: “Të
dy kishin prirje për batuta me humor dhe për shaka, megjithëse në rini kishin përjetuar
personalisht ngjarje të vështira e për disa aspekte, të ngjashme. Provania i bëri
të takohen e të bashkëpunojnë për të mirën e Kishës, sidomos që ajo të mësojë si të
marrë frymë plotësisht “me të dyja mushkëritë”, siç i pëlqente të thoshte Papës sllav”. Kardinali
Shpidlik, nënvizoi Benedikti XVI në homelinë e vet, e kishte shpresën në Jezusin e
Ringjallur: “E dëshmonte këtë gjithmonë, me mënyrën e të jetuarit, e kjo dëshmi
e tij bëhej gjithnjë e më e qartë me kalimin e viteve, sepse, pavarësisht nga mosha
e problemet shëndetësore, shpirti i tij mbetej i freskët e rinor. A s’është kjo miqësia
me Zotin e Ringjallur?” “Ex toto corde”, “Me gjithë zemër”, kujtoi Papa moton
e pranishme në stemën e kardinalit çek: “Duke zgjedhur këtë moto, Vëllai ynë
i nderuar e vendoste jetën e vet, si të thuash, brenda urdhërimit të dashurisë, e
brendashkruante në primatin e Zotit e të bamirësisë”. Njeriu që e pranon me
gjithë zemër dashurinë e Zotit – vazhdoi akoma Papa – pranon dritën dhe jetën e bëhet
ai vetë dritë për njerëzimin e gjithësinë. Por, kush është kjo zemër e botës, përveçse
Jezu Krishtit? E kardinali Shpidlik, duke qenë edhe jezuit, ishte bir i denjë i shën
Injacit, që vendos në qendër të fesë e të përshpirtërisë kundrimin e Zotit në misterin
e Krishtit. Në fund, Benedikti XVI kujtoi edhe pasionin e kardinalit për artin e krishterë,
gjë që e bëri frymëzues planesh e projektesh të sintetizuara në Kapelën “Redemptoris
Mater” të Pallatit Apostolik. Papa e përfundoi homelinë duke iu lutur Zojës së Bekuar
të ndërhyjë që kardinali Tomash Shpidlik të shohë vërtet Fytyrën e Zotit: “Shën
Maria e Virgjër shoqëroftë shpirtin e vëllait tonë të nderuar në përqafimin me Trininë
Shenjte, ku “me gjithë zemër” do të lëvdojë në amshim Dashurinë e pafundme”.