2010-04-19 17:45:26

Viti i Nënë Terezës, kalendari i aktiviteteve


(19.04.2010 RV)Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli kalendarin e aktiviteteve që organizohen gjatë gjithë vitit 2010, "Viti i Nënë Terezës" me rastin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes me origjinë shqiptare.

"Të gjithë aktivitetet që do të organizohen kanë si synim nderimin dhe respektin për këtë ikonë unikale të humanizmit dhe paqes botërore. Ato synojnë gjithashtu të bëjnë sa më të njohur origjinën e saj shqiptare dhe dashurinë e veçantë që ushqente Nënë Tereza për Shqipërinë dhe shqiptarët", tha dje ministri Ferdinand Xhaferaj.

Aktivitetet nisën dje në skenën e Akademisë së Arteve me "Koncert Homazh" nga kori "Nënë Tereza" dhe Orkestra e Harqeve, të cilët ekzekutuan "Stabat Mater" të Pergolezit, një vepër premierë. Po ky koncert vijon në qytetet Shkodër, Lezhë, Korçë, Ulqin, Prishtinë, Shkup.

Në vazhdimësi Biblioteka Kombëtare premton një ekspozitë të "12 Shenjtorëve", me vepra të rralla për të gjithë ata personalitete me origjinë shqiptare të shpallur shenjtorë nga Selia e Shenjtë.

Një konferencë shkencore në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Antropologjike, organizohet javën e parë të qershorit bashkë prezantimin e materialeve arkivore me temë: "Nënë Tereza në shtypin e kohës".

Aktivitetet janë kryesisht ekspozita. Kështu nga Diaspora vjen me ekspozitë personale në GKA në muajin korrik-gusht piktori Gjelosh Gjokaj; Hapet një panair libri me botime kushtuar Nënë Terezës, po në GKA; edhe Muzeu Historik Kombëtar ka mrrë përsipër disa ekspoze; fotografi Roland Tasho prezanton në gusht Albumin me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës; në shtator mendohet të jetë gati botimi "Autorët botërorë për Nënë Terezën"; Maratona e paqes, Kupa "Nënë Tereza", do të ndjekë itinerarin Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Tiranë, në ditën e lumturimit të saj, më datë 19 tetor. Teatri Kombëtar angazhohet me një mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën me aktorë të Teatrit dhe në vjeshtë duhet të vërë në skenë një dramë për Nënë Terezën.

Po më 19 tetor është programuar Festivali Ndërkombëtar i Koreve, me pjesëmarrjen e Koreve nga vende të Evropës, ku me detyrim do të jetë një pjesë nga Oratori për Nënë Terezën.
Çmimi për krijimtarinë më të mirë muzikore për veprën kushtuar Nënë Terezës si dhe Eseja më e mirë e krijuesve të rinj të mbarë shkollave, do të jepen në ditën e lindjes së saj më 26 gusht.
Marrë nga gazeta SHEKULLI 13/04/2010







All the contents on this site are copyrighted ©.