2010-04-19 17:26:06

Në të gjithë botën katolike u kremtua sot Dita e lutjes për Papën. Shqiptarët e urojnë:“Për shumë vjet!”


(19.04.20010 RV)“Të falënderojmë Zotin për shërbimin mendjendritur dhe dëshminë të pastër, kristaline, të Papës”: kështu Konferenca ipeshkvnore italiane i fton besimtarët të luten për Benediktin XVI sot, 19 prill, në pesëvjetorin e zgjedhjes së tij në fronin papnor. Në qytetet e mëdha, ashtu si edhe në fshatrat më të vogla, mijëra njerëz u mblodhën në katedralet madhështore e në shenjtëroret, për t’u lutur, duke marrë pjesë në kremtime eukaristike, liturgji të Fjalës, mbrëmësore e adhurim të të Shenjtnueshmit Sakrament.
E edhe në Shqipëri vijuan kremtimet, lutjet dhe urimet për Papën, në pesëvjetorin e papnisë.
Dje kardinali Zenon Groholevski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik, në Shqipëri për kremtimet e 150-vjetorit të themelimit të Seminarit Papnor të Shkodrës, kryesoi Meshën Shenjte në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me rastin e 5-vjetorit të papnisë së Benediktit XVI. Në fillim të kremtimit, kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore katolike, imzot Rrok Mirdita, theksoi besnikërinë e Kishës katolike të Shqipërisë ndaj Atit të Shenjtë, besnikëri që nuk mungoi as gjatë persekutimit komunist.
Në homelinë e rastit kardinali Groholevski kujtoi sulmin e rreptë të regjimit komunist mbi zemrat e njerëzve, për të zhdukur çdo gjurmë të fesë, të besimit, të Zotit, të lidhjes së pazgjidhshme me Atin e Shenjtë dhe me mësimet e tij.
Por nuk ia doli. E këtë e dëshmon më së miri ky kremtim, në përkujtim të ngjarjes së madhe të para pesë vjetëve, kur në fronin e Shën Pjetrit ulej Benedikti XVI, dhuratë e Hyjit për të gjithë. Kështu u shpreh kardinali dhe i ftoi besimtarët ta sigurojnë përsëri Papën për bashkimin e plotë e të gëzueshëm me Të.
Gjatë Meshës u thanë lutje për Benediktin XVI dhe për suksesin e shtegtimit të tij apostolik në Maltë.
Edhe Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës e uroi Atin e Shenjtë, si për 83-vjetorin e ditëlindjes, ashtu edhe për pesëvjetorin e papnisë. Në katedralen e Shkodrës u mblodhën qindra besimtarë për t’i drejtuar Papës urimet e për t’i shprehur edhe një herë besnikërinë, e cila nuk u mungoi as atëhere, kur i panë bijtë e vet më të mirë duke vdekur me brohorinë: ‘Rroftë Krishti Mbret!’; ‘Rroftë Papa!’ E urimi i përgjithshëm ishte: “Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.