Ngushëllim e shpresë në mesazhin e kardinalit Anxhelo Sodano, lexuar dje në salikimet
e bashkëshortëve presidencialë polakë.
(19.04.2010 RV)U kremtua dje, në Krakovi, në Katedralen e Shën Marisë, Mesha
e dritës e presidentit polak, Leh Kaçinski dhe bashkëshortes së tij, vdekur të shtunën,
më 10 prill, në tragjedinë ajrore të Smolenskut. Meshën për shpirtin e të vdekurve
e kryesoi kardinali Stanislau Dxhivish. Dekani i Kolegjit Kardinalor e përfaqësues
i Papës, kardinali Anxhelo Sodano, nuk mundi të jetë i pranishëm, sepse aeroportet
ishin të mbyllura, për shkak të resë, që vijon të dalë nga vullkani islandez. Prandaj
homelinë, që do ta mbante me këtë rast, e lexoi Nunci Apostolik.
Një përshëndetje
e përzemërt drejtuar bashkësisë polake, të lidhur fuqimisht prej njëmijë vjetësh me
Kishën e Romës, së cilës i bëri edhe një nga dhuratat më të bukura: Papën e Madh,
Gjon Pali II. Këto janë fjalët e kardinalit Sodano, drejtuar më se njëqind mijë vetëve
të pranishëm në Krakovi, në salikimet e bashkëshortëve presidencialë, të cilët, më
pas, u varrosën në Kështjellën mbretërore të Vauelit. Mbyllja e hapësirës ajrore,
për shkak të resë, përhapur mbi qiellin e Kontinentit, nga krateri i vullkanit islandez,
e bllokoi në Itali dekanin e Kolegjit Kardinalor, por nuk mundi ta pengojë t’i shprehë
popullit të Polonisë afërsinë dhe solidaritetin e Benediktit XVI, përmes mesazhit,
që u lexua nga Nunci Apostolik. “Koha e Pashkëve është kohë shprese – shkruan Hirësia
e Tij - Ringjallja e Krishtit është garanci fitoreje edhe për njerëzit e kohës sonë.
Drita e Ringjalljes e ndriçon edhe sot misterin e dhimbjes së njerëzve e të popujve. Së
bashku me bashkëshortët presidencialë, kardinali kujtoi edhe 94 të vdekurit e tjerë
të aksidentit të Smolenskut si dhe viktimat e Katyń, për nderimin e të cilëve ishte
nisur presidenti i ndjerë. Është një orë e trishtuar në historinë e kombit – nënvizon
akoma kardinali - por përvoja na thotë se ky popull fisnik ka ditur të gjejë rrugën
për një bashkëjetesë më të mirë shoqërore e për një bashkim edhe më të fuqishëm kombëtar.
Urimi i Papës është të vijojë, i bashkuar, rrugën e harmonisë e të bashkëpunimit aktiv
me popujt e tjerë, për t’i siguruar botës epokën e qytetërimit të vërtetë.